Vendosni fjalën kyçe....

Sulmohet baza ushtarake në kufirin me Afganistanin, vriten 7 ushtarë pakistanezë


Të paktën shtatë ushtarë janë vrarë në Pakistan pasi militantët sulmuan një postbllok ushtarak në Vaziristanin e Veriut, një distrikt në provincën Khyber Pakhtunkhwa që kufizohet me Afganistanin.

“Terroristët përplasën një automjet të mbushur me eksploziv në postbllok, të ndjekur nga sulme të shumta vetëvrasëse me bomba, të cilat çuan në shembjen e një pjese të një ndërtese,” tha ushtria pakistaneze.

Pesë ushtarë u vranë në shpërthimin fillestar dhe dy të tjerë në betejën me armë që pasoi.

Ushtria tha se gjashtë sulmues, disa të veshur me jelek bombë, u vranë gjithashtu në përleshje.

Rajonet kufitare pakistaneze me Afganistanin përballen me probleme sigurie. Një grup militant i sapoformuar, mori përgjegjësinë për sulmin.

Presidenti pakistanez Asif Ali Zardari dhe kryeministri Shehbaz Sharif dënuan sulmin.

Sulmet nga grupet militante në rajonet kufitare të Pakistanit me Afganistanin kanë qenë në rritje, që kur grupi militant Tehrik-i-Taliban Pakistan (TTP) u tërhoq nga një armëpushim në vitin 2022.

Qeveria pakistaneze ka thënë se shumë nga sulmet janë nisur nga Afganistani. Talibanët në Afganistan e kanë mohuar vazhdimisht këtë.