Vendosni fjalën kyçe....

195 mln € mashtrim me TVSH-në, goditet grupi kriminal që operonte në Shqipëri e 16 shtete


Një grup kriminal që operonte në 17 vende, kryesisht ato të bashkimit Europian, është goditur nga një operacion i koduar ‘Cluster Midas’. Si rrjedhojë e këtij operacioni janë kryer kontrolle dhe në Shqipëri. SPAK thotë se ka janë ushtruar kontrolle në 5 ambiente dhe janë sekuestruar celularë, USB e laptopë .

Janë ushtruar 180 kontrolle në 17 shtete, ndërkohë 14 persona janë arrestuar. 

Sekuestrohen celularë me vlerë 15.3 mln €, jaht me vlerë 3 mln € dhe 1.2 mln € cash

“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në koordinim me Zyrën e Prokurorit Publik Europian (EPPO), ka ndjekur hetimet për Operacionin e koduar “Cluster Midas”, për veprën penale “Evazioni Fiskal”, e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal. Këto aktivitete janë kryer duke krijuar fatura fiktive me qëllimin e rimbursimit të TVSH-së, si dhe shmangien e detyrimeve fiskale.  

Dëmi i kryer nga këto aktivitete llogaritet të jetë 195 milion Euro, i cili është i shpërndarë në 17 shtete kryesisht Evropiane.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka kryer 5 kontrolle ambientesh, nga të cilat janë sekuestruar pajisje të ndryshme elektronike (aparate telefonike, laptop, si dhe USB/HDD), janë marrë në pyetje shtetas të ndryshëm, si dhe janë siguruar të gjitha provat materiale që subjektet në hetim kanë kryer në Shqipëri.   

Ky hetim është shtrirë në 17 shtete (Shqipëri, Austri, Kroaci, Qipro, Çeki, Estoni, Gjermani, Hungari, Itali, Maltë, Hollandë, Poloni, Portugali, Sllovaki, Slloveni, Suedi dhe në Mbretërinë e Bashkuar), duke kryer më shumë se 180 kontrolle, si dhe janë arrestuar 14 shtetas. Më shumë se 680 hetues të ndryshëm janë angazhuar për të realizuar këto veprime hetimore”, njofton prokuroria.