Vendosni fjalën kyçe....

Plani i armëpushimit 40-ditor në Gaza, çfarë përfshin propozimi


Hamasi ka marrë një projektpropozim nga bisedimet e armëpushimit për luftës në Gaza në Paris për një ndalim në operacionet ushtarake dhe shkëmbimin e të burgosurve palestinezë për pengjet izraelite, tha të martën një burim i lartë pranë bisedimeve.

Presidenti i SHBA-së Joe Biden tha se Izraeli ka pranuar të ndalojë veprimet ushtarake në Gaza për muajin e shenjtë mysliman të Ramazanit, ndërsa grupi islamik studion projektpropozimin.

Bazuar në një deklaratë të dhënë për Reuters nga burimi, projektpropozimi për fazën e parë të marrëveshjes do zgjaste 40 ditë dhe shkëmbimi i të burgosurve palestinezë me pengjet izrarlite do ishte në një raport të përgjithshëm 10 me 1.

Gjithashtu në propozim përfshihen:

* Të dyja palët ndalojnë plotësisht operacionet e tyre ushtarake.

* Operacionet e zbulimit ajror mbi Gaza do ndalen për tetë orë në ditë.

* Të gjithë pengjet izraelitë, duke përfshirë gratë, fëmijët nën 19 vjeç, të moshuarit 50 vjeç e lart dhe të sëmurët, duhet të lirohen në këmbim të një numri të caktuar të burgosurish palestinezë sipas numrave të renditur më poshtë.

* Në këmbim të 40 pengjeve të listuara në kategorinë humanitare, rreth 400 të burgosur palestinezë do të lirohen, sipas raportit 10 të burgosur me 1 peng.

* Kthimi gradual i të gjithë civilëve të zhvendosur – përveç meshkujve të moshës së shërbimit ushtarak – në Rripin verior të Gazës.

* Pas fillimit të fazës së parë, Izraeli do ripozicionojë forcat e tij larg zonave me popullsi të dendur në Rripin e Gazës.

* Angazhimi për të sjellë 500 kamionë në ditë ndihma humanitare.

* Angazhimi për sigurimin e 200,000 tendave dhe 60,000 karvanëve.

* Lejimi i rehabilitimit të spitaleve dhe furrave të bukës në Gaza, duke përfshirë lejimin e menjëhershëm të hyrjes së pajisjeve të nevojshme dhe sigurimin e dërgesave të karburantit për këto qëllime, sipas sasive që do bien dakord.

* Izraeli pranon hyrjen e makinerive dhe pajisjeve të rënda për të hequr rrënojat dhe për të ndihmuar me qëllime të tjera humanitare, me sigurimin e dërgesave të karburanteve të nevojshme për këto qëllime, sipas sasive që do bien dakord, me kusht që ato të rriten me kalimin e kohës. Hamasi zotohet të mos i përdorë këto makineri dhe pajisje për të kërcënuar Izraelin.

* Marrëveshjet e rënë dakord në fazën e parë nuk do zbatohen për fazën e dytë, e cila do t’i nënshtrohet negociatave të veçanta të mëvonshme.