Vendosni fjalën kyçe....

Forcohen rregullat për investimet publike, projektet e mëdha nuk financohen pa studim fizibiliteti


Këto ditë ka hyrë në fuqi një kuadër i ri ligjor që synon forcimin e rregullave për menaxhimin e investimeve publike dhe sidomos projekteve të mëdha.

Ndryshimet përcaktojnë kuota financimi për projektet që kërkojnë disa vite deri sa të përfundojnë dhe zakonisht janë objekte të mëdha të infrastrukturës.

Vendimi i qeverisë që u botua në fletoren zyrtare përcakton se, për angazhimet buxhetore shumëvjeçare, që lidhen me projekte të reja investimesh publike, gjatë zbatimit të tyre nuk lejohet që në buxhetin e njësisë përkatëse të njësisë së qeverisjes qendrore të shpërndahet më pak se 20% e vlerës së plotë të projekt it përkatës gjatë vitit të parë.

Me rregullat e reja gjatë zbatimit të projekteve të investimeve publike nuk lejohet që në buxhetin e njësisë përkatëse të njësisë së qeverisjes qendrore të shpërndahen më pak se 30% e vlerës së plotë të projektit përkatës gjatë vitit të dytë dhe jo më pak se 30% e vlerës së plotë të  projektit përkatës gjatë vitit të tretë, përveç rasteve ku përcaktohet ndryshe në dokumentin e studimit të fisibilitetit dhe projektet e reja të miratuara në buxhetin afatmesëm 2023 -2025.

Për projektet e investimeve publike me financim të huaj ndiqen rregullat e përcaktuara në marrëveshjet përkatëse me institucionin financiar.

Për projektet e investimeve publike, të cilat përfshihen në “Listën  Unike  të  Projekteve me Rëndësi Kombëtare” përpara maturimit, institucioni  propozues paraqet studimin e fisibilitetit.

Më pas ministria përgjegjëse për financat vlerëson përballueshmërinë buxhetore të projektit dhe rrisqet fiskale lidhur me deficitin buxhetor dhe borxhin publik. Më pas institucioni përgjegjës për programimin strategjik jep mendim për plotësimin e dokumentacionit sipas kritereve të këtij vendimi dhe rivlerësimin e përputhshmërinë me strategjitë kombëtare, sektoriale dhe ndërsektoriale.

Sakaq Agjencia e Trajtimit tё Koncesioneve (ATRAKO) jep mendim për përmbushjen  e elementeve të studimit tё fisibilitetit të projektit, vetme për projektet që janë kontrata të tipit Partneritet Publik-Privat (PPP).

Vendimi i qeverisë ka klasifikuar një zë të ri në investimet publike të “ Shpenzime kapitale administrative” në të cilin përkufizohen zëvendësimet e pajisjeve të vjetruara gjatë   ushtrimit të funksioneve nga njësia e qeverisjes qendrore apo blerje të pajisjeve të reja që lidhen me nivelin  aktual  të personelit ose rritjen e numrit të stafit.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor