Vendosni fjalën kyçe....

Kolumbia kap nëndetësen me 800 kilogramë kokainë (Video)


Kolumbia ka kapur nëndetësen e pare këtë vit të ngarkuar me kokainë, tha marina e vendit teksa trafikantët e drogës në vendin e Amerikës së Jugut prodhojnë sasi rekord kokaine me destinacion Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.

Nëndetësja u kap në brigjet e Paqësorit të Kolumbisë, tha zëdhënësi i marinës, Kapiteni Ëilmer Roa. Mjeti 15 metra i gjatë, i bërë vetë, mbante pothuajse 800 kilogramë kokainë në pako të vogla me madhësi tullash. Pakot ishin të stampuara me pamje të akrepave dhe flamujve meksikan.

“Në të vërtetë ky ishte një konfiskim i vogël”, tha Roa.

“Kemi kapur edhe nëndetëse me gati 3500 kilogramë drogë”, shtoi ai. Roa tha se vitin e kaluar marina e Kolumbisë kapi 10 narko-nëndetëse.

Qeveria e Kolumbisë ka luftuar për të kufizuar prodhimin e kokainës në vitet e fundit, pasi grupet rebele dhe bandat e trafikut të drogës pushtojnë territorin që u braktis nga guerilët e Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë pas marrëveshjes së paqes të grupit në vitin 2016 me qeverinë.

Sipas zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimin, zona e mbjellë me shkurre koka në Kolumbi arriti një nivel të lartë prej 230,000 hektarësh në vitin 2022, me prodhimin e mundshëm të kokainës gjithashtu në 1,700 ton, një rritje prej 24% nga viti i kaluar.

Por ndërsa prodhimi i kokainës rritet në Kolumbi, Ekuadori po bëhet një rrugë popullore për kontrabandën e drogës.

Të shtunën, zyrtarët në Ekuador njoftuan se kishin kapur gjithashtu një nëndetëse që mbante 3.2 ton kokainë. Nëndetësja u kap me informacionin e dhënë nga marina e Kolumbisë.

Roa shpjegoi se trafikantët e drogës përdorin skeletet e skafeve për të bërë nëndetëset dhe i përshtatin ato në mënyrë që të mund të udhëtojnë pak nën sipërfaqen e detit.