Vendosni fjalën kyçe....

“Loja nis nga fillimi” – Avokati i Rithemelimit tregon ç’ndodh nëse Gjykata  e Lartë rrëzon rekursin për vulën e logon e PD-së


Avokati i Rithemelimit të PD-së, Franci Nuri, tregon se çfarë do ndodhë nesër pas vendimit të  Gjykatës së Lartë për fatin e vulës dhe logos së PD-së.

Ai pohoi se nëse Gjykata vendos të rrëzojë rekursin e Berishës, që është kreu  i Rithemelimit, vula nuk i kalon PD-së së Bashës por gjithçka nis nga e  para.

“Vulën e vendos anëtarësia. Por në këtë rast ka një konflikt që ka shkuar në dyert e gjykatave. Nëse gjykata e hedh poshtë rekursin e Berishës vula nuk i shkon direkt Bashës. Çështja shkon në shkallë të parë, pra fillon loja nga fillimi. Duhet të dini se një gjykim në shkallë të parë merr muaj dhe vite. Kjo çështje mund të zvarritet me vite”, tha ai në emisionin ‘Frontline’ në Report Tv.

Ai tha më tej se lënia e seancës në Gjykatën e Lartë ditën e nesërme kur Gjykata e Posaçme do vendosë mbi ashpërsimin e masës ndaj Berishës, të kërkuar nga SPAK-u, është e qëllimshme.

“Kemi pasur koiçidenca të tjera që kanë përkuar në dëm të Partisë Demokratike. Nuk është lënë rastësisht në këtë datë. Në momentin që grupi parlamentar ishte duke kryer bashkimin, pra kishim negociata në atë moment ndodhi që u paraqit çështja në SPAK dhe u njoftua arrestimi i zotit Malltezi dhe u shfaq më pas kërkesa për Berishën. Opozita është ndjerë e sulmuar dita ditës”, shtoi Nuri.

Fillimisht më 25 mars 2022, gjykata vendosi si të ligjshëm Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Berisha më 11 dhjetor 2021.

Më 3 mars të këtij viti, Apeli e riktheu çështjen në Shkallën e Parë, pasi më herët kishte pranuar si palë edhe grupimin e Alibeajt i komanduar në atë kohë në krye të partisë nga Lulzim Basha.