Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: Parlamenti e ka humbur misionin, s’do ndalemi në aksionin tonë, PS-ja t’i thërrasë arsyes


Kreu i grupit parlamentar të deputetëve demokratë Gazment Bardhi tha pas mbylljes së seancës parlamentare se opozita nuk ka ndërmend të tërhiqet duke u bërë thirrje deputetëve të PS-së që t’i thërrasin arsyes.

Ai tha se opozitës po i mohohet pasja e një përfaqësuesi në Komisionin e Reformës Zgjedhore ç’ka vë në pikëpyetje zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Po kështu Bardhi theksoi se opozitës po i mohohet e drejta për të kontrolluar qeverinë.

“Siç edhe e patë, edhe pse prej kohësh Kuvendi është futur në një anormalitet, maxhoranca nuk ka asnjë reflektim sa i takon respektimit të të drejtave të opozitës. Opozita shqiptare nuk ka kërkuar asnjë favor të vetin. Opozitës i mohohet e drejta për të pasur përfaqësues të saj në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe shqiptarëve s’do iu jepet mundësi që në zgjedhjet e ardhshme shqiptarët të kenë zgjedhje të ndershme. Opozitës i mohohet e drejta për të kontrolluar qeverinë. Kjo e drejtë na mohohet prej dy muajsh, Ajo që patë sot ishte vijim i aksionit tonë për të mos lejuar dhe deputetët e PS që të punojnë në mënyrë normale.” – tha Bardhi.

Më tej kreu i grupit parlamentar demokrat tha se parlamenti e ka humbur misionin e vet dhe të përfaqësimit të qytetarëve.

Bardhi tha se opozita do vijojë të qëndrojë në aksionin që ka nisur pa u ndalur.

“Sot në Kuvend jemi përballur me rrethimin nga forcat e sigurisë, një ndodhi në një vend anëtar të NATO-s. U rrethuam me forca sigurie. Kjo godinë dhe kjo sallë ka humbur misionin e vetë dhe të përfaqësimit të qytetarëve, por është pushtuar nga forcat e sigurisë. Ne do të vazhdojmë që qëndrojmë në këtë aksion. Nuk kemi ndërmend të tërhiqemi. Pasi do të thotë që të pranojmë de-facto rënien e shtetit të së drejtës. Apeli im për maxhorancës, është që në vend të forcës të fusë në punë arsyen dhe logjikën.” – shtoi Bardhi.