Vendosni fjalën kyçe....

Abuzime miliardëshe me medikamente për kimioterapi në Gjermani


Farmacistët që prodhojnë ilaçe kundër kancerit mund të fitojnë më shumë se 1.000 euro me vetëm një infuzion. Këtë tregojnë hulumtimet e mediave gjermane WDR, NDR, SZ dhe Monitor.

5.000 euro çdo muaj madje dhe më tepër fitime mund të kesh. Kështu, kujton Robert Herold, të cilit një mjeke e kancerit, pra, onkologe, i kërkoi t’ia paguante ryshfet. Ai ishte ende shumë i ri atëherë, sapo kishte mbaruar studimet dhe do të merrte në dorë drejtimin e farmacisë së të ëmës. Ai refuzoi.  

Por me ato biseda filloi udhëtimi i gjatë 18-vjeçar i Heroldit që përfundimisht do ta çonte atë të bëhej një sinjalizues për çfarë ndodh me ilaçet kundër kancerit. Në bisedat me mediet gjermane WDR, NDR, SZ dhe revistën televizive investigative ARD Monitor, Herold raporton se një farmacisti që përgatit infuzione për kimioterapi kundër kancerit, disa receta mund t’i sjellin disa qindra, ndonjëherë mbi 1.000 euro fitim. 

Disa vjet më vonë, thotë Heroldi, ai u përpoq përsëri të merrte një onkolog për farmacinë e tij. Në takim ai i ofroi shërbime të ndryshme: ai mund të prodhonte në mënyrë fleksible në çdo kohë të ditës ose të natës dhe të dërgonte ilaçe në zyrën e mjekut, e do të ishte i lumtur të merrte përsipër edhe komunikimin me pacientët.

Por onkologu nuk ishte i interesuar për asgjë nga këto, thotë Herold. Ai donte dhjetë për qind të shitjeve të ilaçeve kundër kancerit si provizion: 20.000 euro në muaj.

Në Gjermani ka gjithsej vetëm rreth 300 farmaci që kanë licencën dhe kushtet për të prodhuar citostatikë që përdoren si infuzione për kimioterapi, 

Heroldi i konsideron fitimet e mëdha që farmacistët si ai, të cilët prodhojnë barna citostatike, mund t’i bëjnë “moralisht të dënueshme”. Ndaj puliku ka të drejtë ta di të vërtetën.

Fitimet 749 euro për një kuti

Listat interne që posedojnë edhe NDR, WDR, SZ dhe ARD Monitor për disa shitës me shumicë gjatë disa viteve janë pothuajse 20 faqe. Çmimet për afro 1000 barna kundër kancerit janë renditur me shkronja të vogla.

Farmacisti mund të fitojë 749 euro shtesë për çdo paketë të përbërësit aktiv. E ky nuk është një rast i izoluar. Merrni, për shembull, Trastuzumab, një ilaç që rekomandohet shumë dhe shpesh: Sigurimi shëndetësor paguan 1.439 euro për paketë, ndërsa çmimi me shumicë është vetëm 390 euro. Disa qindra, ndonjëherë më shumë se 1000 euro fitime shtesë për farmacistin – për vetëm një infuzion të vetëm.

Çmimet e negociueshme

Farmacistët shpesh bëjnë më shumë fitime në mënyra të tjera. Arsyeja është një përjashtim i veçantë: ndryshe nga pothuajse të gjitha barnat e tjera, farmacistëve që prodhojnë ilaçe kundër kancerit u lejohet të negociojnë për çmimet e barnave me prodhuesit dhe tregtarët. Problemi është se sigurimet shëndetësore shpesh nuk i njohin çmimet aktuale të blerjes dhe u paguajnë farmacistëve një çmim të dakorduar paraprakisht.

Fitimet ndonjëherë janë të mëdha. Kjo del në pah nga listat e brendshme të çmimeve në të cilat kishin akses NDR, WDR, SZ dhe Monitor. Gazetarët krahasuan kostot e sigurimit shëndetësor me çmimet aktuale të blerjes në listat e çmimeve me shumicë.

Vetëm me pesë përbërësit aktivë më të shitur, mbrojtjes së patentës së të cilave ka skaduar, kompanitë e sigurimeve mund të kursejnë deri në 500 milionë euro në vit.

“Si në pazar”

Një farmacist tregoi konkretisht me shembuj se barnatoret në fakt furnizohen nga prodhues të ndryshëm me çmime të ulëta. Bëhet fjalë për të ashtuquajturat barna gjenerike, produkte krejtësisht normale me datë të rregullt skadence.

Lidhja e Sigurimeve Shëndetësore Publike (GKV) negocion për çmimet e barnave me Shoqatën Gjermane të Farmacistëve (DAV). Pjesëmarrësit në negociata sillen “si në treg”, raportojnë NDR, WDR dhe SZ.

Zëdhënësi i GKV-së, Florian Lanz, fillimisht në një intervistë për revistën televizive “Monitor” tha se nuk i njihte listat e çmimeve për farmacistët. Por shoqata qendrore më vonë pranoi se në vitin 2020 kishte marrë në mënyrë konfidenciale disa pjesë nga një listë e tillë çmimesh.

Problemi: Sigurimet shëndetësore kërkojnë vetëm çmimet nga prodhuesit – por çmimet e raportuara nga kompanitë e barnave janë dukshëm më të larta se ato që mund të paguajnë farmacistët. Nëse farmacistët dhe kompanitë e sigurimeve nuk mund të bien dakord për çmimet, atëherë kjo duhet të vendoset nga një bord arbitrazhi. Sipas hulumtimeve, as bordi i arbitrazhit nuk ka lista çmimesh.

Pse kompanitë e sigurimeve shëndetësore nuk arrijnë të përcaktojnë çmimet e duhura – veçanërisht pasi revista Panorama e ARD-së dhe e përjavshmja Stern botuan në 2016 se marzhet e fitimit për barnat kundër kancerit janë shumë të larta dhe se ka përpjekje për ryshfet?

Me sa duket, siguruesit shëndetësorë rrallë pyesin kompanitë e barnave për çmimet reale të disa ilaçeve të rëndësishme kundër kancerit. Siç tregon hulumtimi i NDR, WDR, SZ dhe Monitor, për çmimet e bevacizumabit dhe rituximab, për shembull, ata kanë kërkuar vetëm në 2017 dhe 2021.

Lauterbach dyshon në dkelaratat e siguracioneve

Ministri Federal i Shëndetësisë Karl Lauterbach në një intervistë për Monitor shpreh dyshimin se sigurimet shëndetësore nuk dinë asgjë: “Unë do të vë në dyshim justifikimin e kompanive të sigurimeve shëndetësore, kur thonë se nuk mund t’i marrin këto të dhëna. Përballë këtij hulumtimi, Lauterbach thotë se është “padyshim diçka që duhet ta trajtojmë edhe për sa i përket rregullores.” Fitimet e larta janë “të paqëndrueshme”.

Kryetari i Komisionit të Barnave të Shoqatës Gjermane të Mjekësisë, Wolf-Dieter Ludwig, beson se potenciali i madh fitimi i farmacistëve që prodhojnë citostatikë është “absolutisht i pajustifikuar”. Sipas Ludvig, këto para mund të investohen në një kujdes më të mirë paliativ për pacientët me kancer, për të cilin shpesh nuk ka “fonde të mjaftueshme”.

Skandale korrupsioni në lidhje me ilaçet kundër kancerit

Vitet e fundit kanë dalë në dritë skandale të ndryshme korrupsioni në industrinë e citostatikëve. Kjo është një nga arsyet pse Ludwig e konsideron si “një dështim të madh vazhdimin e lejimit të këtyre fitimeve të mëdha në këtë fushë dhe të mos marrë masa më të rrepta”.

Disa vite më parë, shoqata federale AOK llogariti se sa kursime mund të arriheshin nëse shitja e preparatit do të dilte në tender dhe kontrata do t’u jepej furnizuesve me koston më të ulët, siç ka qenë prej kohësh rasti me barnat e tjera pa mbrojtje për patentë.

“Kemi gjetur një vëllim kursimi prej 600 milionë eurosh në vit”, thotë Sabine Rihard, drejtoresha ekzekutive e AOK-së, përgjegjëse për furnizimin.

Çmimet e rimbursimit kanë rënë vetëm pak

Në shtator të vitit të kaluar, kompanitë e sigurimeve shëndetësore ulën rimbursimet për disa ilaçe kundër kancerit. Por farmacistët që prodhojnë citostatikë mund të bëjnë ende fitime të jashtëzakonshme: ata mund të blejnë një paketë pemetrexed, një ilaç për kancerin e mushkërive, për më pak se 200 euro dhe t’u faturojnë kompanive të sigurimeve shëndetësore me 1200 euro.

Kryetari i Shoqatës së Farmacistëve që prodhojnë citostatikë (VZA), Klaus Petersheim, thotë se farmacistëve do t’u duhej një tarifë fikse e përgatitjes prej 150 euro për të mbuluar shpenzimet. Kompanitë e sigurimeve shëndetësore, nga ana tjetër, kanë dorëzuar një ekspertizë sipas të cilit do të mjaftonte një tarifë fikse prej 30 deri në 40 euro.

U zbuluan më shumë humbje

Fitimet tashmë të publikuara nga një ilaç për trajtimin e kancerit nuk janë rasti i parë ku kompanitë e sigurimeve shëndetësore po shohin një humbje të madhe të primeve të sigurimit. Në janar të këtij viti, NDR, WDR dhe SZ zbuluan se laboratorët ishin në gjendje të blinin testet e tyre Corona PCR për një pjesë të kostos së mbuluar nga sigurimi shëndetësor.

Në të gjithë këtë rreth korrupsioni dhe shpërdorimi, farmacisti Herold ka frikë se “paraqitet veten si pleh”. Gruaja e tij ka frikë se mjekët mund t’ua kthejnë shpinën. Sepse vendi në Fogtland, ku Herold drejton farmacinë e tij, është i vogël.

E Heroldi e di që duhet të punojë edhe 20 vjet të tjera. Pavarësisht kësaj – ose pikërisht për shkak të kësaj – ai i reziston ndryshimit në industrinë e tij. “Në fund të ditës, bëhet fjalë për pacientët që kanë nevojë për ilaçe,” thekson në fund informatori Herold.

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e DW