Vendosni fjalën kyçe....

Eurodeputeti kritika Lajçakut: Na bëtë të mbrojmë agresorin e të sulmojnë viktimën, nuk thatë asnjë fjalë se çfarë duhet të bëjë Serbia


Në mbledhjen e Komitetit të Parlamentit Evropian për Punët e Jashtme, eurodeputeti austriak Thomas Waitz, e ka kritikuar sot të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, për mënyrën se si po ndërmjetëson në raportet midis Kosovës dhe Serbisë.

Duke iu referuar tensioneve në veri të Kosovës, Waitz ka thënë se Lajçaku po e bën Bashkimin Evropian të duket keq kur po i mbron agresorët, këtu duke iu referuar Serbisë, duke sulmuar viktimat (Kosovën), raporton Klan Kosova.

“Dua të them, si e konsideroni të suksesshme një marrëveshje që nuk është nënshkruar nga të dyja palët? Ku e shihni në fakt ndonjë sukses të punës suaj të katër viteve të fundit? Dhe dua të them, edhe ju në prezantimin tuaj tani, theksuat… Ndoshta më lejoni të them një fjali fillimisht: Unë e mbështeta shumë vlerësimin se lëvizja e kryeministrit Kurti kur ishte fjala për kryetarët e zgjedhur shqiptarë ishte një provokim dhe ishte një gabim i madh politik”, ka thënë Waitz.

Sipas tij, kjo ishte shumë e papritur sepse zakonisht pala kosovare luan anën e mirë të historisë, ndërsa të gjitha agresionet nga pala serbe kanë mbetur jashtë vlerësimit të kësaj situate.

“Në komunikimin tonë në fakt dukej sikur agresioni erdhi nga pala kosovare, por ishte i organizuar nga serbët, po ashtu pati mercenarë nga Serbia që hynin dhe sulmonin ushtarët e KFOR-it. Dhunuesi është gjithmonë dhunuesi. Nuk mund të thuash që më kanë provokuar. Kjo është arsyeja pse unë legjitimisht u bëra agresiv dhe sulmova ushtarët e KFOR-it”, ka shtuar eurodeputeti.

“Pra, ne vërtet lamë një përshtypje shumë të keqe duke mbrojtur kryesit e sulmeve ndërsa sulmonim viktimat e agresionit, edhe pse disa nga lëvizjet politike për fat të keq ishin të gabuara. Unë ndaj këtë vlerësim”, deklaroi ai.

Tutje, Waitz ka vlerësuar se kjo me të vërtetë po dëmton besueshmërinë e BE-së në të gjithë rajonin.

“Dhe nuk e di, dua të them, ju radhitët të gjitha kërkesat që keni ndaj Kosovës se çfarë të bëjë ajo. Dhe pastaj thatë: edhe serbët duhet t’i realizojnë zotimet! Ju nuk përmendët as një pikë të vetme se çfarë duhet të bëjnë në të vërtetë! Dhe dua të them, të gjithë vlerësimin për orientimin rus të Serbisë, agresionin e vazhdueshëm. Dhe çfarë shenje mendoni se po u jepni qindra mijëra njerëzve që më në fund formojnë opozitë në rrugë kundër pushtetit të Vuçiqit? A nuk i dekurajoni ata me atë që bëni?”, potencoi eurodeputeti austriak.

Ai në fund e ka pyetur personalisht Lajçakun se në çfarë pike mendon ai se roli i tij në këtë situatë është duke sjellë ndonjë ndihmë.