Vendosni fjalën kyçe....

I shpallur në kërkim për trafik droge në Itali, arrestohet 39-vjeçari në Shëngjin


Një 39-vjeçar shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për pengmarrje dhe trafik të lëndëve narkotike është arrestuar sot në Shëngjin.

Pritet ekstradimi i 39-vjeçarit drejt Italisë.

Autoritetet gjyqësore italiane, me vendimin e datës 18.05.2023, i kanë caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikim narkotikësh”, “Organizatë kriminale” dhe “Pengmarrje”, parashikuar nga Kodi Penal italian.

Njoftimi i policisë:

Kapet në Shëngjin dhe arrestohet me qëllim ekstradimin drejt Italisë, 39-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pjesëtar i një organizate kriminale me aktivitet trafikimin e lëndëve narkotike.

Në vijim të punës gjurmuese me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombltar, Fast Albania, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim që fshihej në Shëngjin, pas verifikineve të kryera nga Interpol Tirana dhe Interpol Roma, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Lezhë dhe me zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Genova”.

Gjatë operacionit është lokalizuar dhe kapur në Shëngjin, shtetasi shqiptar A. S., 39 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi autoritetet gjyqësore italiane, me vendimin e datës 18.05.2023, i kanë caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikim narkotikësh”, “Organizatë kriminale” dhe “Pengmarrje”, parashikuar nga Kodi Penal italian.

Gjatë periudhës tetor 2022- janar 2023, shtetasi A. S., në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë blerë dhe trafikuar 100 kg kokainë nga Ekuadori, me qëllim shitjen në Itali.

Gjatë transportimit kokaina është vjedhur nga shtetas të paidentifikuar dhe shtetasi A. S. me bashkëpunëtorët e tij në Itali kanë marrë peng një shtetas, në kërcënimin e armës, me qëllim mbledhjen e informacionit për vjedhjen e kokainës.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi në Itali.