Vendosni fjalën kyçe....

Komandanti i KFOR-it akuzon Kurtin: Të mos konsiderohemi ombrellë strehimi pas veprimeve të njëanshme


Misioni i NATO-s nuk mund dhe nuk duhet të konsiderohet ombrellë nën të cilën gjendet strehim pas veprimeve të njëanshme që shqetësojnë ekuilibra shumë të pasigurt, ka thënë komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccia.

Ristuccia ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për veprime të njëanshme, duke thënë se i vendosi kryetarët e rinj të veriut në objektet komunale pa marrë parasysh këshillat e komunitetit ndërkombëtar dhe se autoritetet kosovare kanë përdorur forcë pa u konsultuar me KFOR-in, “duke e bërë kështu të nevojshme ndërhyrjen për të shmangur një tragjedi”.

“Të mos pretendojmë se kjo është një situatë normale. Këto vendime merren pa koordinim paraprak me ne dhe me palët e përfshira. Nuk është hera e parë që ndodh kjo. Është metodë që sigurisht nuk është e favorshme për besimin reciprok. Pasojat e dëmshme të këtij lloji veprimi duhet të vlerësohen gjithmonë”, ka thënë ai për gazetën italiane “Corriere Della Sera”.

Komandanti i KFOR-it më tej ka thënë se veriu i Kosovës pa misionin e NATO-s do të ishte një tjetër vatër lufte.

Situata me të cilën po përballemi është rezultat i një sërë krizash që janë grumbulluar me kalimin e kohës. Le ta quajmë një paqëndrueshmëri të kontrolluar, por ajo po bëhet gjithnjë e më e paqëndrueshme në terren, për shkak të brishtësisë së marrëdhënieve midis dy grupeve etnike dhe atyre që i përfaqësojnë ato. Çdo ekuilibër i arritur me përpjekje të mëdha, krizë pas krize, po bëhet gjithnjë e më i pasigurt”, ka thënë ai.

I pyetur se sa është i lartë rreziku për përkeqësim të mëtejshëm të situatës, Ristuccia ka thënë se ndërhyrja e NATO-s në veri ka krijuar një efekt afat-shkurtër.

“Përmes aksionit diplomatik, Serbia dhe Kosova kanë filluar të bisedojnë sërish me njëra-tjetrën. Shpresojmë se kjo dritare kohe do të përdoret për të filluar negociatat reale. Siç nuk është bërë deri tani”, është shprehur ai./KOHA