Vendosni fjalën kyçe....

Dëshmia e banorëve, ekzekutori i dyshuar i Nikulajt jetoi mbi dy muaj në banesën e Edmond Haxhisë


Autori i dyshuar i vrasjes së bisnesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin, ka jetuar prej dy muajsh në fshatin Kakarriq dhe lëvizte lirshëm.

Sipas banorëve, ai jetonte në banesën e Edmond Haxhisë ndërsa herë pas here shkonte në Shkodër, shkruan BW.

Ai përdorte një makinë  për të lëvizur si dhe motoçikletën e përdorur ditën e vrasjes së Nikulajt, ngjarje e ndodhur më 19 prill.

“Shtetasi portugez prej dy muajsh kishte ardhur në fshatin Kakarriq dhe lëvizte i lirë. Në fillim u raportua se jetonte me qira në këtë fshat, por banorët thanë se në këtë fshat nuk ka banesa me qira. Shtetasi portugez ka jetuar në banesën e Edmond Haxhisë, por herë pas here shkonte dhe në Shkodër. Pasi kishte kaluar pak kohë, kishte nisur të mësonte në gjuhën shqipe dhe përshëndeste në shqip. Lëvizte me veturë dhe motor, pikërisht me motorin që përdori për të kryer krimin. Ai motor është përdorur herë pas here nga 27-vjeçari.” – ka pohuar gazetari Igli Çelmeta që ka biseduar me banorët e fshatit.

Nikulaj u qëllua për vdekje mëngjesin e 19 prillit në lokalin e tij në Shëngjin. Lidhur me krimin janë shpallur në kërkim gjashtë persona mes të cilëve Edmond Haxhia, Ruben Saraiva (ekzekutori portugez) si dhe katër shtetas britanikë, Harry Simson, Harriet Bridgeman, Thomas Mithan e Steven Hunt.

Haxhia është djali i dajës së Elton Lekstakajt, familja e të cilit ka qenë në konflikt me Nikulajn prej më shumë se 20 vitesh.