Vendosni fjalën kyçe....

“Ahmetaj në treshen kryesore” – Berisha: Edhe po të dojë kryeministri, pa firmën e ministrit të Financave s’preket asnjë qindarkë nga Fondi Rezervë


Kryetari i PD-së, Sali Berisha u pyet në konferencën e përjavshme me gazetarët  “pse po e amniston opozita Arben Ahmetajn?” për çështjen e inceneratorëve. Por Berisha e mohoi një gjë të tillë. Ai tha se e ka denoncuar Ahmetajn në mënyrë të përsëritur.

Ai e konsideroi ish-ministrin e Financave si një ndër 3 personat më kryesorë të kësaj afere. Berisha theksoi se pa firmën e ministrit të Financave, atë kohë detyrën e mbante Arben Ahmetaj, nuk mund të preket asnjë qindarkë nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.

 “Absolutisht, në mënyrën më të përsëritur e kam denoncuar aferën e ineneratorëve. Unë kam qenë kryeministër dhe problemin e njoh totalisht, në mënyrë shteruese, se si është procedura e vendimmarrjes. Arben Ahmetaj është në treshen më kryesore të djegësve, me Edi Ramën dhe Engjëll Agaçin.

Pse është Arben Ahmetaj? Sepse pa firmën e tij nuk mund të merret fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, edhe po të dojë kryeministri, nëse nuk firmos ministri i Financave nuk preket asnjë qindarkë nga ai fond. Paratë e Fondit Rezervë janë marrë dërguar me firmë të Ahmetajt dhe Ramës, ai është një ndër 3 strumbullarët kryesore të aferës së djegësve. I pari është Rama pa diskutim. Sikundër, ai mashtroi nën betim se nuk njihte Zoton apo Mërtirin në një kohë kur ka qenë në makinë me ta kur është përmbysur makina, në një kohë kur Zoto ka qenë menaxher i Hermesit në kohën kur biletat e tij ishin fshehur. Po më fal, kujt ti thuash?! T’u thuash atyre që thanë se prokurorët vetë janë pjesë e organizatës kriminale të djegësve?!

Para jush kam deklaruar se SKAPI është i kapur kokë e këmbë me djegësat. Ai ka mashtruar nën betim. Mjafton kjo për të hapur çështje penale, ndërsa ata thanë që nuk mjafton për të hapur hetim.

Nëse Ahmetaj merret i pandehur Rama automatikisht merret i pandehur, nuk merret dot pa Ramën. Ahmetaj ka imunitet të plotë, gjithë beteja për SKAP-in e partisë u bë për të ndaluar arrestimet e të tjerëve. Akuza fillestare është për korrupsion, vetëm për korrupsion nuk hetohen ata, po folëm për korrupsion shkohet te Ahmetaj, Rama dhe Agaçi. Problemi është se është Rama mbi Ahmetajn, ai nuk ka përgjegjësi ligjore më të veçantë se Rama, por aq sa Rama.”- tha ish-kryeministri Sali Berisha.