Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata shpall fajtore për mospagim taksash dy kompanitë e Trump, i gjobit me 1.6 milionë dollarë


Prokurorët e Nju Jorkut kanë fituar një çështje kundër dy prej kompanive të ish-Presidentit Donald Trump me akuza për mashtrim, duke bindur juristët se ato komplotuan për të ndihmuar drejtuesit e lartë të shmangin taksat.

Juria e Gjykatës së Lartë të Qarkut të Nju Jorkut dha vendimin e saj të martën në Manhattan, duke i shpallur fajtorë Trump Corp. dhe Trump Payroll Corp. për 17 akuza penale. Kompanitë përballen me gjoba penale deri në 1.6 milionë dollarë.

Ish-presidenti nuk u akuzua për këtë çështje dhe nuk mori pjesë në gjyq. Një nga avokatet e tij, Susan Necheles, tha se provat tregojnë se Trump nuk ishte i përfshirë në veprimet në fjalë.

Ekzekutivi prej një kohe të gjatë i Organizatës Trump, Allen Weisselberg, ishte i vetmi individ që u akuzua në lidhje me skemën tatimore. Ish-shefi financiar 75-vjeçar u deklarua fajtor në gusht sipas një marrëveshjeje me prokurorët që i kurseu një dënim deri në 15 vjet burg nëse do ishte dënuar në gjyq.

Në vend të kësaj, ai do të duhet të shërbejë vetëm 100 ditë, pasi pranoi të dëshmojë kundër dy kompanive të paditura.

Zëvendësi i Weisselberg, Jeffrey McConney, gjithashtu dëshmoi pasi iu dha imuniteti nga ndjekja penale. Ai pranoi se kishte ndjekur udhëzimet e Weisselberg për të rregulluar dokumentet që i mundësonin ZKF-së dhe drejtuesve të tjerë të shmangnin pagesën e disa taksave.

Në diskutim ishin mijëra dollarë kompensim pa para, të tilla si apartamente dhe makina të paguara nga kompania, të cilat drejtuesit nuk i raportuan mbi deklaratat e tyre të tatimit mbi të ardhurat.

Organizata Trump do e apelojë vendimin e së martës, u tha gazetarëve avokati mbrojtës Alan Futerfas. Mbrojtja argumentoi se Weisselberg i shmangu taksat për përfitimin e tij dhe u detyrua të dëshmonte kundër kompanive, sepse prokurorët ‘e kishin kapur prej t*pesh’.

Ekipi i Trump gjithashtu e quajti çështjen ‘të shtyrë politikisht’, duke thënë se akuza të tilla ‘zgjidhen gjithmonë në një kontekst civil’, në vend që të ndiqen në gjykatën penale.