Vendosni fjalën kyçe....

Pas kreut të SPAK-ut Kraja, ankohet për buxhetin edhe Balla i KLP-së: S’kemi para as për drita, ujë e mirëmbajtje


Pasi kreu i SPAK-ut Arben Kraja u ankua dy ditë më parë se qeveria i kishte dhënë më pak fonde se sa ishin kërkuar nga institucioni që drejton, të njëjtat ankesa janë paraqitur sot nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Në seancën në Komisionin e Ligjeve ku po diskutohet projekbuxheti i vitit të ardhshëm, kryetari i KLP-së tha se nevojitet një shtesë prej 13 prokurorësh të rinj dhe se pjesa dërrmuese e fondeve të  akorduara për organin e drejtësisë shkon për drita, ujë, pastrim e mirëmbajtje.

“Ne sot na mungon zyra e këshilltarit të etikës. Mungojnë njësi mbështetëse për marrëdhëniet me publikun. Na mungon një njësi mbështetëse për teknologjinë e informacionit, kemi vetëm një IT, na mungon njësia e trajnimit për prokurorët dhe nënpunësit civilë të sistemit të prokurorisë. Kemi kërkuar që nga 65 persona, të shkojë në 78 numri i personave të strukturës së Këshillit të Lartë të Porkurorisë. Një 90 milionësh na e ka marrë Ministria e Financave në këtë vit, duke na prekur edhe në nevoja bazike të pagave apo të llogarive të tjera të këshillit. Kërkesa jonë bazohet në faktin se ne jemi organ i pavarur. Në momentin që jemi krijuar ka qenë një mangësi ligjore dhe struktura jonë është caktuar nga kuvendi. Por tani shikojmë se puna jonë realizohet më mirë me një strukturë përkatëse sic ua vumë në dijeni. Doja të shtoja dicka në lidhje me buxhetin. Buxheti ynë është modest, në krahasim me gjithë sistemin e prokurorisë ne kemi vetëm 4%. Prokurororia e përgjithshme merr 66%, ndërsa SPAK-u dhe BKH marrin 30%. Ndërsa ne kemi vetëm 4% në total. Mendoj që nuk janë kërkesa të ekzagjeruara por të nevojshme që na bëjnë të realizojmë detyrat tona kushtetuese” –  tha kreu i KLP-së, Balla.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm Emis Çërava tha: “Ne kemi bërë edhe një kërkesa sa i takon disa pajisjeve, për blerjen e një serveri qëndror, një program për digjitalizimin. Sa i përket buxhetit të këtij viti, ideja është që ne na u ulën shpenzimet koherente dhe pagat në një shumë të konsiderueshme që na ka bërë që sot të mos kemi fonde edhe për nevoja bazike, dritat dhe uji. 75% të shpenzimeve tona koherente shkojnë për nevoja bazike, mirëmbajtje të godinës, ujë dhe shpenzime të energjisë elektrike. Kërkesa jonë në 35 milionë lekë të reja nga 25 që ministria e Financave ka akorduar, është shumë minimale që ne të plotësojmë detyrimet tona ndaj shtetit. Janë kërkesa minimale.”