Vendosni fjalën kyçe....

Republikanët amerikanë padisin Google


Komiteti Kombëtar Republikan (RNC) ngriti një padi kundër Google të premten, duke akuzuar gjigantin e teknologjisë për dërgimin e emaileve të tij direkt në dosjet e postës së padëshiruar të përdoruesve.

Google po ‘diskriminon’ republikanët për shkak të ‘përkatësisë dhe pikëpamjeve politike’, pretendoi një padi e ngritur në një gjykatë të qarkut amerikan në Kaliforni.

“Google ka transferuar në masë miliona emaile republikane tek donatorët dhe mbështetësit e mundshëm duke i çuar te seksioni i emaileve të padëshiruara gjatë periudhave kryesore në mbledhjen e fondeve zgjedhore.” – thuhej në dokument.

Kjo ‘heshtje’ e emaileve është zhvilluar dhjetë muajt e fundit, pretendoi organizata. Kjo nuk ndodhi gjatë gjithë kohës, thotë organizata, sipas së cilës mesazhet dërgoheshin në dosjet e padëshiruara në fund të çdo muaji, që është ‘historikisht periudha kur mbledhja e fondeve të RNC është më e suksesshme’, shtoi ai.

RNC vlerësoi se veprimet e supozuara nga Google i kushtuan 75,000 dollarë donacione të humbura dhe gjithashtu mund të çonin në humbje të mundshme afatgjata ‘në miliona dollarë’.

Me paraqitjen e padisë, komiteti po kërkon të marrë një urdhër që Google të ndalojë filtrimin e mesazheve të tij si të padëshiruara.

Google ka hedhur poshtë akuzat e RNC, me zëdhënësin e kompanisë Jose Castaneda duke lënë të kuptohet se fajin e kishin vetë republikanët.

“Siç e kemi thënë vazhdimisht, ne nuk i filtrojmë emailet bazuar në përkatësinë politike. Filtrat e spam-it të Gmail pasqyrojnë veprimet e përdoruesve.” – tha Castaneda për Reuters.