Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina pret të marrë 16 miliardë dollarë nga partnerët perëndimorë deri në fund të vitit 2022


Ukraina pret të marrë 12 deri në 16 miliardë dollarë të tjerë nga partnerët e saj perëndimorë deri në fund të këtij viti, tha të hënën ministri i Financave të vendit.

Në një intervistë për RBK-Ukraine, Serhiy Marchenko tha se objektivi i huazimit të jashtëm të Ukrainës që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë më 24 shkurt ishte rreth 26 miliardë dollarë, duke shtuar se në varësi të suksesit të bisedimeve shuma mund të shkojë deri në 30 miliardë dollarë.

“Ne kemi marrë tashmë 14 miliardë dollarë dhe para fundit të vitit, mund të marrim 12 deri në 16 miliardë dollarë të tjerë.” – tha ai.

Marchenko theksoi se sektori i biznesit në vend në krahasim me fazën fillestare të luftës është tashmë ‘më fleksibël dhe më i përshtatshëm’.

“Shumica e biznesit po përpiqet të rikthejë prodhimin, shitjet dhe punën e tij.” – tha ai.

Ai nënvizoi se niveli i konsumit në vendin e shkatërruar nga lufta ka mbetur në një ‘nivel mjaft të lartë’ pavarësisht faktit se nga 5 deri në 9 milionë ‘konsumatorë të mundshëm’ janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i luftës.

Marchenko pranoi se norma e inflacionit është ‘mjaft e lartë’ në krahasim me periudhën e paraluftës në Ukrainë.

Megjithatë, ai tha: “Nëse e krahasojmë atë me vendet e tjera – Evropën, SHBA-në, ku inflacioni po i afrohet 10%, atëherë inflacioni ynë prej 22.2% nuk ​​është aq kritik”.