Vendosni fjalën kyçe....

Gjendet “thesari” prej 1 milion eurosh i fshehur në kazanë të groposur në bahçet e bosëve të Ndranghetës (VIDEO)


Në Torino janë zbuluar disa mijëra euro të fshehura në kazanë të mëdhenj prej hekuri, që ishin groposur në oborret e shtëpive të bosave që i posedonin. Ky është rezultati pas një aksioni të Antimafia italiane kundër organizatës mafioze të Ndranghetas.

Siç bëjnë me dije mediet lokale, kontrollet e policisë kanë nisur që prej mëngjesit të ditës së sotme dhe aksioni është shtrirë edhe në pjesë të tjera të Italisë.

Hetuesit besojnë se në krye të grupit, është bosi 43-vjeçar Vittorio Raso, i arrestuar 22 qershorin e kaluar pranë Barcelonës.

Një pjesë e këtij thesari u gjet falë përdorimit të detektorëve metalikë me të cilët u kërkua në tokën përreth shtëpive të kontrolluara. Nëntokë të groposura u gjetën kazanët e mbushur plot e përplot me para.

Sipas hetuesve, xhiroja e organizatës mund të llogaritet në disa milionë euro. Burimi kryesor do të ishte trafiku i drogës, i cili bëhej në automjete të pajisura me funde të dyfishta elektrike të sofistikuara. Nga ana tjetër, komunikimet mes anëtarëve të grupit bëheshin nëpërmjet një rrjeti të posaçëm celularësh të koduar, blerja e të cilëve do të bëhej jashtë vendit.

Gjatë hetimeve, punonjësit e policisë kanë konfiskuar rreth 800 kilogramë drogë të llojeve të ndryshme, dy pistoleta, tre pushkë, 12 kilogramë eksploziv, qindra municione dhe një milion euro në prerje të ndryshme.