Vendosni fjalën kyçe....

Kreu i SPAK Kraja: Jemi të pavarur në punën tonë


Kreu i SPAK-ut Arben Kraja ka pohuar se institucioni që drejton vepron i pavarur nga politika.

Në një intervistë ekskluzive për DW, ai tha se nga hetimet dalin përherë lidhje të botës së krimit me sistemin e drejtësisë apo struktura të tjera dhe se të tilla zhvillime janë të provuara herë pas here.

“Prokurorët kanë përpara dosjet dhe vlerësojnë provat. Ky është koncepti ligjor dhe këtë bëjmë çdo ditë. Jo vetëm politika, por ne dëgjojmë çdo ditë njerëz që ankohen, që pretendojnë që duhet hetuar ky rast apo ai rast. Janë në kuadrin e atyre informacioneve që vijnë për t’u vlerësuar. Por e rëndësishme është që secili ka dosjen përpara, është i pavarur në vendimmarrjen e tij dhe vlerëson vetëm provat që janë administruar. Bashkëpunimi me policinë ka qenë shumë i mirë, çështja vazhdon dhe jemi të bindur që do t’i shkojmë deri në fund. Pyetja juaj, nëse ka lidhje të krimit me drejtësinë apo struktura të tjera: nga hetimet tona dalin vazhdimisht lidhje të tilla, sepse kuptohet që gjithmonë krimi mundohet që korruptojë sistemin e drejtësisë për të shpëtuar nga ndjekja penale. Apo mundohet të korruptojë sisteme të pushtetit apo të administratës, për të përfituar diçka në mënyrë të padrejtë. Këto dalin herë pas here në hetime, pa diskutim. Janë edhe të provuara.”  tha Kraja.

Ai shtoi më tej se krimi i organizuar në vend ka ardhur duke u fuqizuar dhe se ka bashkëpunime mes grupeve kriminale të vendeve të tjera.

Sipas Krajës, SPAK po bashkëpunon me organizatat partneve në mbarë Europën e SHBA-në për goditjen e tyre.

“Krimi i organizuar ka ardhur duke u konsoliduar, patjetër. Sidomos e shohim dhe jashtë vendit aktivizimin e tij. Shohim grupe të strukturuara kriminale, të ndërthurura me grupet kriminale të vendeve të tjera. Pra, ka ardhur duke u konsoliduar, por dhe shteti duhet të konsolidojë goditjen e tij. Kemi vendosur kontakte që në fillim me Italinë, pa diskutim, sepse jemi më afër. Kemi kontakte të qëndrueshme dhe të vazhdueshme. Por bashkëpunojmë me Holandën, me Gjermaninë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Britaninë e Madhe, me Belgjikën. Kemi vendosur kontakte të drejtpërdrejta me EuroJust si dhe me rajonin si Kosovë, Maqedoni e Veriut, Rumani.” – shtoi ai.