Vendosni fjalën kyçe....

Bill Gates mburr fushatën e vaksinimit të Indisë: Të mësojë bota


Bashkëthemeluesi i Microsoft-it Bill Gates gjatë një takimi që pati me ministrin e Shëndetësisë të Indisë Mansukh Mandaviya tha se ishte mirë të shkëmbehen perspektiva të ndryshme mbi çështjet e kujdesit shëndetësor global.

Ata u takuan në Zvicër në fillim të kësaj jave, ku ishin në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos. Dhe Gates siç duket ka krijuar përshtypje pozitive lidhur me procesin e vaksinimit të këtij vendi.

“Suksesi i Indisë me nxitjen e vaksinimit dhe përdorimin e teknologjisë për të nxitur rezultatet shëndetësore në shkallë ofron shumë mësime për botën.”– shkroi miliarderi të shtunën në “Twitter” pas këtij takimi.

Më herët zyrtari i lartë i Indisë, tha se ai dhe Gates diskutuan një gamë të gjerë temash në Davos, nga “menaxhimi i kontrollit të sëmundjeve” te “krijimi i qendrave rajonale të mRNA“, si dhe zhvillimi i pajisjeve diagnostikuese dhe mjekësore të përballueshme dhe me cilësi të lartë.

Rreth 88 përqind të popullsisë së rritur të Indisë janë të vaksinuar plotësisht kundër Covid-19.

Mandaviya tha se Gates kishte vënë në dukje suksesin e menaxhimit të pandemisë së Indisë dhe “përpjekjet e mëdha për vaksinim”. Në përpjekjen e tij për të vaksinuar një popullsi prej 1.38 miliardë banorësh, Nju Delhi u mbështet kryesisht në vaksinën Covishield të “AstraZeneca”-ës dhe Covaxin të zhvilluar në vend, si dhe në grupe të vogla të Sputnik-ut të Rusisë.

Bill Gates ka qenë një figurë udhëheqëse në përpjekjet globale të vaksinimit që nga fillimi i pandemisë Covid-19. Megjithëse nuk është mjek, pikëpamjet e tij janë konsideruar për shkak të rolit të Fondacionit të tij si një donator i madh i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Po ashtu Gates investon miliarda në zhvillimin dhe shpërndarjen e vaksinave.