Vendosni fjalën kyçe....

Rama pyetet për djalin e Aqif Rakipit: Të vijmë deri në Berlin për të folur për kandidatët e PS-së më duket e sforcuar


Kryeministri Edi Rama po zhvillon një konfererencë me gazetarët nga Berlini ku ndodhet në një vizitë zyrtare.

I pyetur për vendimin e Departamentit të Thesarit Amerikan për sanksionet ndaj ish deputetit të PS-së Aqif Rakipi, Rama nuk preferoi të komentonte. Më saktë pyetja ishte për djalin deputet Orlando Rakipi, nëse Rama ndihej se kishte marrë vendimin e duhur për ta kandiduar.

“ Zgjodhët një kandidat që sot është deputet pa ndonjë kontribut në parti babai i të cilit është shpallur non grata, a ndiheni se keni marrë vendimin e duhur?”– ishte pyetja.

“Të vijmë deri në Berlin për të folur për kandidatët e PS në Tiranë më duket pak e sforcuar, kështu që kalojmë në pyetjen tjetër.”- u përgjigj Rama.

Kujtojmë se ditën e hënë, Departamenti i Thesarit Amerikan njoftoi vendosjen e sanksioneve të rënda ekonomike ndaj ish-deputetit socialist Aqif Rakipi si dhe biznesmenit Ylli Ndroqi, në mesin e 7 individëve të tjerë në Ballkanin Perëndimorë, mes të cilëve ish-kryeministri maqedonas Nikola Gruevski.

Ata akuzohen për korrupsion, shantazhe, përvetësim pronash, rryshfet e pjesëmarrje në krimin e organizuar. Dy shqiptarët ishin në mesin e 7 individëve nga Ballkani Perëndimor, ndaj të cilëve u morën masa me argumentin se “kërcënojnë stabilitetin e rajonit përmes korrupsionit, aktivitetit kriminal dhe sjelljeve të tjera destabilizuese.”