Vendosni fjalën kyçe....

Australia kërcënon Kinën: Kujdes nëse mbështet Rusinë, do përballesh me sanksione


Kryeministri australian Scott Morrison tha se Kina do të përballet me pasoja nëse mbështet sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, duke argumentuar se një veprim i tillë do të ishte ‘i neveritshëm’ duke lënë të kuptohet për sanksione të reja ndërkombëtare për Pekinin.

I pyetur nëse kishte ndonjë sanksion për Kinën për kundërshtimin e saj për të dënuar sulmin e vazhdueshëm rus, kryeministri u tha gazetarëve se Australia do të bashkohej me aleatët në sanksionimin e vendit.

“Ne do të ecim në hap me partnerët dhe aleatët tanë për këto çështje dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë disa deklarata shumë të qarta në lidhje me këtë dhe ne i mbështesim ato deklarata”, tha ai duke i bërë thirrje ‘të gjithë botës’ që të bëjnë çmos për të ndaluar dhunën dhe agresionin e tmerrshëm nga Rusia në Ukrainë.

Morrison vazhdoi të argumentojë se Pekini duhet të jetë ‘shumë transparent’ në lidhje me lidhjet e tij me Moskën, duke përfshirë bashkëpunimin ekonomik.

Komentet e liderit pasojnë deklarata të ngjashme nga Uashingtoni, i cili gjithashtu ka paralajmëruar për ‘pasoja të rënda për çdo ndihmë ushtarake ose ekonomike për Moskën’.