Vendosni fjalën kyçe....

A do të garojë për kreun e PD-së? Berisha mesazh Yuri Kimit: Rikthimi im u faktua më 6 mars


Ish-kryeministri Sali Berisha në konferencën e sotme për shtyp deklaroi se 6 Marsi faktoi rikthimin e tij, duke i përcjellë kështu një mesazh kryeministrit Edi Rama si dhe ambasadores së SHBA-ve Yuri Kim, të cilën e quan “guvernatore” dhe e akuzon se ndërhyri në mënyrë antidemokratike dhe brutale në fushatë.

Berisha u shpreh se i qëndron vendimit të tij për të qenë pjesë e garës së ardhshme për kreun e Partisë Demokratike.

“Së pari, a i qëndroj unë deklaratës për garën në krye të PD, s’mund të gjesh mes deklaratave të mia të cilat s’i kam qëndruar. Kush e mendon gabon.

Sali Berisha para 4-5 muajsh ishte një deputet i thjeshtë, me humbjen e partisë së tij, aksionet e tij ranë në shifra të mjera do të thosha, por vendimi i tij bëri që aksionet e PD dhe të atij personalisht të rriten në një kohë të shkurtër.

6 marsi faktoi një të vërtetë: rikthimi i Sali Berishës, rikthimi me një mbështetje prej 31 përqind të elektoratit shqiptar.

Unë kam bërë fushatën më intensive që është bërë në fushatë elektorale. U detyrova ta bëj këtë, pasi ky ishte personalizim në rrafshin e përgjithshëm. Por meqenëse Edi Rama mori me arbitraritet logon dhe ia dha kallpit të tij, dhe meqenëse zonja guvernatore i lejoi vetes të ndërhyjë në mënyrë antidemokratike dhe brutale në fushatë kundër Sali Berishës, unë do u tregoja zgjedhësve që unë jam Sali Berisha. Ky që i kanë marrë logon dhe ky që thotë zonja guvernatore.

Të gjitha këto i them këtu se është jashtë çdo lloj imagjinate që unë të devijoj nga ky kurs, nga vendimi im i shpallur para demokratëve që do garoj për kryetar të PD, por duke garantuar që çdo person që kërkon të hyjë në garë për kushte të barabarta. Duke garantuar demokratët se do pranoj rezultatin e tyre pa asnjë koment.

Duhet të kuptoni një gjë: rikthimi ka ndodhur më 6 mars, ai nuk zhbëhet përveçse me votën e shqiptarëve. Kishte më parë pikëpyetje, por ajo votë është rikthimi i Sali Berishës.

Nuk po them se jemi shumicë, por them se është një stacion i fuqishëm për t’u bërë shumicë. Mos harroni që në këto zgjedhje, logo e opozitës ka marrë pothuajse 44 përqind të votave, aq sa kanë marrë në zgjedhjet e 25 prillit, një zhvillim mjaft pozitiv sidomos falë Shtëpisë së Lirisë.”- deklaroi Berisha gjatë fjalës së tij.