Vendosni fjalën kyçe....

Diskutime pa përparim mes Blinken dhe Lavrov për Ukrainën


Diplomatët e lartë të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë dështuar që të arrijnë pikë kthese në një tjetër rund të negociatave në Gjenevë, ndonëse diskutimet kanë ndihmuar në qartësimin e rrugës për të kuptuar shqetësimet e njëri-tjetrit, pas rritjes së tensioneve që lidhen me dyshimet se Rusia do të pushtojë Ukrainën, pavarësisht paralajmërimeve të Perëndimit për pasoja të mëdha.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrorv janë takuar për 90 minuta më 21 janar, teksa tentojnë të shmangin një luftë të re në Evropë.

Takimet janë zhvilluar edhe në kohën kur Moska po kërkon koncesione nga NATO-ja sa u përket lidhjeve që ka aleanca me ish-republikën sovjetike.

Të dy diplomatët kanë thënë se bisedimet kanë qenë të sinqerta dhe shpresojnë për më shumë diplomaci për krizën rreth Ukrainës.

“Ne nuk kemi pritur që sot të arrijmë te ndonjë pikë kthese, mirëpo besoj se jemi në rrugë për të kuptuar shqetësimet e njëri-tjetrit dhe pozicionet e njëri-tjetrit”, ka thënë Blinken pas takimit.

Në komentet e para pas takimit, Lavrov ka thënë se shpreson që “emocionet do të ulen” pas bisedimeve“të sinqerta” me Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë qenë “të hapura” dhe “të dobishme”.

As bisedimet e disa ditëve më parë nuk kanë arritur të krijojnë një urë për të tejkaluar ndasitë në mes të kryeqyteteve të Perëndimit dhe Moskës.

Blinken, në anën tjetër, ka paralajmëruar për kundërpërgjigje “të shpejtë dhe të ashpër” nëse Rusia pushton Ukrainën, por theksoi se Uashingtoni mbetet i hapur për të gjetur një zgjidhje diplomatike për krizën.