Vendosni fjalën kyçe....

Tejkalohet Berisha, Jemin Gjana bën me dije shifrat për pjesëmarrjen: Në Kuvendin Kombëtar janë të pranishëm 5 mijë e 4 delegatë


Kryetari i komisionit të Kuvendit Kombëtar të PD-së Jemin Gjana, pas fjalimit të Lulzim Bashës, ka deklaruar se sipas të dhënave ky Kuvend ka shumicën dërrmuese të delegatëve.

Ai ka dhënë dhe numrin se sa delegatë ndodhen në Pallatin e Kongreseve, 5004 nga 7600 që janë total.

“Sekretariati pranë këtij Komisioni pasi ka hartuar përmbledhjen, më ka dorëzuar të dhënat e pjesëmarrjes. Kuvendi Kombëtar i PD-së ka gjithsej 7 646 anëtarë, nga të cilët sipas prezencës të nënshkruar prej secilit prej delegatëve të këtij Kuvendi, kanë qenë dhe janë të pranishëm në Kuvendin e datës 18 Dhjetor 2021, 5 mijë e 4 delegatë të Kuvendit.

Duke theksuar se këto 5004 zonja e zotërinj, delegatë të Kuvendit Kombëtar të PD-së nuk janë numra, janë emra, janë firma, janë identitete dhe është dinjiteti i secilit. Si kryetar i këtij Komisioni për drejtimin e punimeve i kërkoj strukturës së PD-së që ditën e nesërme pasi të jenë hedhur në sistem 5004 emrat që kanë nënshkruar pjesëmarrjen, të bëhen publike.

E kemi diskutuar t’i publikojmë që sot, por u detyruam 1 orë me vonesë të nismin zhvillimet e Kuvendit. Tani do të provcedojmë me miratimin e rendit të ditës.”– deklaroi Gjana.

Në Kuvendin e javës së kaluar të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, ishin të pranishëm 4491 delegatë të pranishëm, ku 4934 prej te cilëve morën pjesë në procesin e votimit.