Vendosni fjalën kyçe....

Nisi mbarë por përfundoi me akuza për “persona me armë” – Çfarë ndodhi sot në mbledhjen e Berishës në selinë e PD-së (FOTOT)


Ditë me plot zhvillime qe kjo e hënë për Partinë Demokratike. Ish-kryeministri Sali Berisha, i ndjekur nga mbështetësit e tij iu drejtua mesditën e sotme selisë blu për të zhvilluar një mbledhje me anëtarët e Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit të PD-së.

Në një prononcim për mediet, ai u shpreh se do të diskutojnë “për problemet e rëndësishme të së ardhmes.”

I pyetur nga gazetarët nëse do futeshin në zyrën e Lulzim Bashës, ai theksoi se s’kishin punë atje: “Nuk kemi punë në zyrën e Bashës”. Berisha u fut me entuziazëm në seli duke theksuar disa herë që s’do kishte tensione, mirëpo u largua duke bërë deklarata të forta për praninë e personave të armatosur.

Salla pa karrige

 Por ndërsa po futej në sallën ku do zhvillonte mbledhjen, aty nuk gjendeshin karrige. Ai u shpreh me ironi se Basha i ka marrë të gjitha karriget në zyrën e tij pasi nuk i mjafton e vetja.

“Çmenduria e peng Bashës, për karriget ka kufi vetëm qiellin, i ka marrë të gjitha karriget në zyrën e tij se nuk i mjafton karrigia e tij.”- tha Berisha.

Kjo qe mbledhja e parë e Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit të PD-së.

Garë brohorimash dhe tensioneve mes mbështetësve të Berishës e të Bashës

Në hollin e PD-së mes dy sallave ku po zhvilloheshin dy mbledhjet paralele, pati për pak çaste tensione mes mbështetësve të Berishës e të Bashës.

Një grua ka ngritur zërin dhe akuzoi se i kanë bërë presion.

 “Unë nuk i kam asnjë faj askujt, më thanë do të tërheqim zvarrë, le të vinë këtu, nuk i kam frikë.”– tha gruaja.

Ndërkohë një mbështetës i Berishës thuhet se ka shlemuar derën pas të cilës po zhvillohet mbledhja e Bashës. Kjo përplasje më pas u qetësua, megjithatë të dyja palët brohorisnin emrat e dy liderëve të tyre.

 

Berisha pozon për foto me mbështetësit

Pas përfundimit të mbledhjes, Berisha pozoi për foto sëbashku me mbështetësit e tij ndërsa foli edhe në një konferencë për mediet, të cilën e quajti “Konferencën më të veçantë” në 30 vitet e karrierës së tij.

DEKLARATAT E BERISHËS

 

  • “Basha ka kryer krime të ngjashme me krimin elektoral”

Gjatë fjalës së tij Berisha bëri akuza të forta ndaj kryedemokratit Lulzim Basha, për të cilin tha se ka kryer akte të ngjashme me krimin elektoral.

Sipas Berishës, në zgjedhjet e fundit për drejtuesin e partisë u janë marrë anëtarëve kartat e anëtarësisë dhe nuk i janë kthyer.

“Ju informoj ju se ish-kryetari Basha ka kryer akte në PD që ngjiten në nivelin e krimit elektoral. Konkretisht, ka informuar anëtarësinë në votimin e fundit që të paraqiten me karta. I ka mbledhur kartat dhe nuk ua ka kthyer kartat e anëtarësiusë. Është plaçkitje. I garantoj ata se të gjithë do të votojnë në mënyrë transparente para të gjitha këtyre medieve dhe nuk ka njeri që mund të pengojë duke plaçkitur kartat e anëtarësisë si nuk kam  dëgjuar kurrë më parë.”- ishin fjalët e Berishës.

  • “Kishim parashikuar protestë më datë 18 dhjetor por e shtymë”

Ish-kryeministri tha se kishin parashikuar të mbanin një protestë masive më datë 18 dhjetor, por që është shtyrë në afat, për shkak të referendumit që do të ndërmerret nga Komisioni i Rithemelimit.

Megjithatë ai paralajmëron se kjo do të ndodhë shumë shpejt.

“Protesta kombëtare, ajo ishte dhe është opsion të jemi transparent, një opsion ishte më datë 18. Po problemi është se referendumi duhej bërë për shkak të festave që vijnë, shpëtojnë Edvin Kristaq Ramën e shpëtoi referendumi i peng Bashës, sepse do të kishte pasur të gjithë Shqipërinë në Tiranë. Por do të vijë shpejt ajo, revolucionin s’e ndalon kush.”- tha Berisha.

  • “Nëse DASH kërkon falje, unë e fal”

Heqja e ‘non grata-s’ nga SHBA për ish-kryeministrin Sali Berisha duket se mbetet qëllimi kryesor.

“Është një vendim pa asnjë bazë, është një vendim për të cilin unë pres një apologji nga ata që e kanë marrë, por unë kam hapur një gjyq dhe ftoj DASH, agjencitë e SHBA-ve dhe çdo vendi të litë të Europës dhe të Botës që çdo dokument, provë, fakt që kanë ndaj Sali Berishës ta dorëzojnë.”- u shpreh ai.

Ai shtoi se nëse një ndjesë e tillë do të vinte ai do ta pranojë atë.

 “Ndjesa në kodin tonë nuk mund të refuzohet dhe nëse paraqitet një apologji për këtë unë nuk mund të them jo, por faleminderit dhe u mbyll problemi”– tha Berisha.

  • “Ambasadoren amerikane e respektoj, por s’e pranoj si guvernatore”

Ai tha para gazetarëve se e respekton zonjën Yuri Kim si ambasadore të SHBA-ve, por s’e pranon dhe nuk ka për ta pranuar kurrë si guvernatore.

“Është shkelje flagrante e Kushtetuese e SHBA-ve. Nuk do pranohet kurrë. Thashë njëherë, do respektohet në shkallë maksimale si ambasadore, por s’do pranohet si guvernatore.”- tha Berisha.

 Në fund ai shtoi se do i rikthejë aty ku kanë qenë marrëdhëniet me SHBA-të.

 

  • “Bandat me armë janë futur në seli”

Ndërsa ish-kryeministri po dilte nga selia, ai mori informacione nga Belind Këlliçi se disa njerëz të armatosur janë futur në selinë e Partisë Demokratike, duke kërcënuar të rinjtë e Forumit Rinor. Një zhvillim që ndryshoi rrjedhën e të gjithë ditës së sotme, duke shtuar tensionet mes demokratëve.

Ju lutem shumë, Belindi thotë se janë të armatosur. Kanë nxjerrë armën.

Banditizëm ekstrem çka dëshmon edhe njëherë se rithemelimi i PD-së është jetim për Shqipërinë. Ja unë luftoj gjithë kohën me bandat e qeverisë, por bandat e qeverisë kanë hyrë edhe në selinë e PD-së.

Prania e bandave të armatosura në seli është e veçantë. Të rinjtë thonë se kanë ardhur me armë, unë I besoj. Këta thonë se janë në një hapësirë tjetër këtu. Unë nuk ndihem i rrezikuar, të rreszikuar të ndihen ata që futen me armë. Ata që e kanë bërë do përgjigjen shumë rëndë.”– deklaroi Berisha.

Në një prononcim të fundit për mediet, para se të largohej nga selia blu, Berisha paralajmëroi Bashën se do mbante përgjegjësi për këtë.

Kështu Berisha u fut në PD me entuziazëm në seli, por e la atë mes një atmosfere të zymtë akuzash.

Deklarata e Këlliçit për praninë e personave të armatosur në seli

Deputeti Belind Këlliçi doli më pas në një deklaratë për mediet për të sqaruar se për çfarë ishin akuzat e përmendura pak më herët nga ish-kryeministri Berisha.

Këlliçi i cili e quan veten ende kryetar të FRPD-së pavarësisht se është shkarkuar nga Lulzim Basha, thotë se kur ka shkuar në zyrën e tij personale, e ka gjetur bravën të ndërruar dhe i ishin vjedhur sendet e tij personale si dhe “USB”-ja e tij me materiale private.

Këlliçi shton gjithashtu se të rinj të FRPD-së kanë shkuar e i janë ankuar se persona me armë i kanë intimiduar dhe bërë presion në seli dhe për të dyja këto thotë se ka telefonuar Policinë, por uniformat blu nuk i janë përgjigjur thirrjes së tij.

“I kam bërë dy herë thirrje Poicisë, nuk vjen Policia se nuk i jep leje mesa duket kryeministri. Policia vjen këtu vetëm për të mbrojtur Lulzim Bashën e jo për të bërë transparencën dhe detyrën.”– tha Këlliçi.

Por grupi i Bashës i ka hedhur poshtë akuzat.

Deputetja Flutura Açka, publikoi një foto nga mbledhja e tyre në rrjet duke thënë: “Armët tona janë fjalët dhe zemrat demokrate. Me Inën, Flamurin dhe Orjolën.”

 Basha gjithashtu i ka komentuar denoncimet duke thën me ironi se fjalët ishin të vërteta dhe se ai i kishte parë vetë Ina Zhupën dhe Jorida Tabakun me kallashnikovë.

“Po, i kam parë unë. Ina Zhupa dhe Jorida Tabaku Ishin të armatosura me kallashnikovë ndërsa Endri Hasa u kap në flagrancë në prani të një murtaje të kalibrit të rëndë.

Flutura Açka kishte marrë me vete vetëm një pistoletë me silenciator.”- ishte komenti i Bashës./Hashtag.al