Vendosni fjalën kyçe....

Escobar: Po nxisim europianët t’ju shohin siç ju shohim ne, si një anëtar i mirë i Europës


I Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, në një intervistë për “News 24”, ka folur për procesin e integrimit të Shqipërisë ne BE dhe ka dhënë tre mesazhe kryesore.

“Në të vërtetë kam ardhur këtu me tre mesazhe kryesore. Njëri është se ju jeni një anëtar i NATO-s, dhe një anëtar i mirë i NATO-s, një anëtar kontribues i NATO-s. Së dyti, ne po nxisim europianët që t’ju shohin ashtu siç ju shohim ne, si një partner i mirë dhe ju do të jeni një anëtar i mirë i Europës. Dhe meqë ra fjala, ju jeni që tani pjesë e Europës. Në kulturë, histori dhe ekonomi, ju jeni pjesë e Europës, prandaj ne besojmë se ju duhet të keni një vend në tryezë. Prandaj, për njerëzit që janë të zhgënjyer nga shpejtësia e BE-së, ne kemi besim se ata do të lëvizin shpejt. Dhe meqë ra fjala, unë nuk do të lejoja që mekanizmi burokratik i asaj që përbën Bashkimin Europian të errësojnë faktin që BE-ja ka krijuar zhvillim të jashtëzakonshëm në këtë pjesë të botës dhe në Europë në tërësi. Çdo vend që ka hyrë në BE është më demokratik, më i begatë dhe më i qëndrueshëm se kurrë më parë. Kjo është ajo që ju pret kur të anëtarësoheni në BE”, u shpreh ai.

Pjesë nga intervista

Sokol Balla: Ok, por siç thatë ju, që atëherë kemi pasur tre vende anëtare të NATO-s, por vetëm dy anëtarë të BE-së. Pra, Perëndimi duket se ka si një lokomotivë me dy shpejtësi, me rrota të ndryshme. Nga njëra anë kemi interesin e NATO-s dhe të Shteteve të Bashkuara që po forcohet, por më pas kemi një prani të dobësuar të BE-së në rajon, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor. Në vend të saj, Rusia, Kina, madje edhe Turqia deri në një masë të caktuar, kanë pasur më shumë sukses në vendosjen e ndikimit të tyre. Pra, ne shohim gjëra që ndodhin në Mal të Zi, në Serbi, në Maqedoninë e Veriut, fatkeqësisht tani edhe në Bosnje-Hercegovinë. Ne shohim gjëra që nuk na pëlqejnë, sepse është si një ankth që rritet tek njerëzit tanë këtu dhe në Kosovë, që gjëra të tilla mund të na ndodhin edhe ne.

Escobar: Unë nuk mendoj kështu dhe më lejoni t’ju tregoj. Në të vërtetë kam ardhur këtu me tre mesazhe kryesore. Njëri është se ju jeni një anëtar i NATO-s, dhe një anëtar i mirë i NATO-s, një anëtar kontribues i NATO-s. Së dyti, ne po nxisim europianët që t’ju shohin ashtu siç ju shohim ne, si një partner i mirë dhe ju do të jeni një anëtar i mirë i Europës. Dhe meqë ra fjala, ju jeni që tani pjesë e Europës. Në kulturë, histori dhe ekonomi, ju jeni pjesë e Europës, prandaj ne besojmë se ju duhet të keni një vend në tryezë. Prandaj, për njerëzit që janë të zhgënjyer nga shpejtësia e BE-së, ne kemi besim se ata do të lëvizin shpejt. Dhe meqë ra fjala, unë nuk do të lejoja që mekanizmi burokratik i asaj që përbën Bashkimin Europian të errësojnë faktin që BE-ja ka krijuar zhvillim të jashtëzakonshëm në këtë pjesë të botës dhe në Europë në tërësi. Çdo vend që ka hyrë në BE është më demokratik, më i begatë dhe më i qëndrueshëm se kurrë më parë. Kjo është ajo që ju pret kur të anëtarësoheni në BE.

Sokol Balla: Ne e dimë që Uashingtoni ka qënë mbështetësi ynë kur vjen puna tek integrimi Europian, qysh prej ditës së parë.

Escobar: Saktë! Keni edhe të tjerë, meqë ra fjala. Vendet e KUINT-it janë të bashkuar në këtë gjë.

Sokol Balla: S’jam i sigurtë për këtë. Kur shihni se çfarë po ndodh me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, keni vizituar Shkupin, tani jeni në Tiranë. Në fakt, jam i sigurt që keni vënë re një zhgënjim, edhe në nivelet e larta, le të themi duke filluar nga Kryeministri ynë. Çfarë mund të bëjë SHBA për ta bërë këtë gjë të ndodhë më shpejt?

Escobar: Shikoni, BE-ja ka të bëjë me vlerat dhe institucionet. Pra, ne aktualisht ndajmë jo vetëm interesa të përbashkëta, por edhe vlera të përbashkëta. Pra, në të vërtetë, tani bëhet fjalë për të thelluar institucionet. Dhe për të forcuar institucionet. Ky është një tjetër nga mesazhet e mia, që ne duam të bashkëpunojmë me ju në zhvillimin tuaj. Por jo vetëm kaq. Ne duam të gjemë një nivel më të thellë marrëdhëniesh strategjike me Shqipërinë. Ne mendojmë se jeni gati. Pra, ne jemi gati për këtë sfidë, ne jemi gati të punojmë me ju përgjatë gjithë gamës së mundësive, qofshin ato politike, ushtarake, ekonomike, arsimore, kulturore, ne e duam këtë marrëdhënie me Shqipërinë.

Sokol Balla: Në fakt, kjo tashmë po ndodh sepse ne shohim, për fat të mirë, pak vonë, por më mirë vonë se kurrë, një prani në rritje të interesit ekonomik të SHBA-së në vend.

Escobar: Saktë!

Sokol Balla: Dhe shumë njerëz mendojnë se kjo duhet të kishte ndodhur shumë më përpara. Gjithashtu, nga sot e dimë se një tjetër bazë ushtarake po fillon të ndërtohet në jug të Shqipërisë. Por kur bëhet fjalë për një investim tjetër, investimi i SHBA-së në vend, që është Reforma në Drejtësi, njerëzit nuk janë aq të lumtur. Jo vetëm për shkak të kohës, por edhe për shkak të rezultateve. Pra, çfarë mund të bëhet ndryshe në mënyrë që gjërat të mund të përshpejtohen, në mënyrë që njerëzit t’a ndiejnë ndikimin e Reformës në Drejtësi në jetët e tyre të përditshme. Dua të them, kur bëhet fjalë për pronësinë e tokës, kur bëhet fjalë për investimet e tyre.

Escobar: Epo, shteti i së drejtës është blloku i themelit nga ku ngrihen të gjitha demokracitë, përfshirë edhe tonën. Dhe çdo vend, duke përfshirë edhe vendin tonë, duhet të kërkojë mënyra për të forcuar institucionet e tij, ato që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. Pra, kur vjen fjala për këtë, ne jemi duke punuar me ju përmes programeve tona të ndihmës, përmes programeve tona të shkëmbimit, përmes programeve nga më të ndryshmet, për të forcuar kapacitetet. Megjithatë, dhe meqë ra fjala, ne do të bëjmë pjesën tonë në lidhje me sanksionet, sepse ne e marrim shumë seriozisht korrupsionin. Thënë kjo, nuk ka alternativë ndaj prokurorive vendase, gjyqësorit të pavarur, prokurorëve të pavarur dhe vullnetit politik për t’i bërë të gjitha këto të mundura. Pra, do të shihni presionin politik amerikan ndaj udhëheqësve të zgjedhur, të cilët ne i konsiderojmë partnerë të mirë, por ata duhet të jenë partnerë të mirë edhe për të çuar përpara sundimin e ligjit, dhe më besoni, ne jemi mjaft të vetëdijshëm dhe mjaft të hapur me ta për mangësitë që ekzistojnë. Shqipëria ka bërë shumë përparim. Do të doja të shihja më shumë dhe ne duam të punojmë me ju për të arritur më shumë. Dhe shpresojmë se do të arrijmë atje shumë shpejt.