Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria e re gjermane pret liberalizimin e vizave të Kosovës


Olaf Scholz do të jetë kancelari i ri i Gjermanisë.

Në një dalje publike nga Berlini, Scholz bëri me dije se ai bashkë me Demokratët e Lirë (FDP) dhe Partinë e të Gjelbërve pas gati dy muajsh biseda arritën të krijojnë koalicionin.

Në marrëveshjen që ka 178 faqe jepen detaje për qeverisjen e tyre në katër vitet që vijnë e ku vëmendje i kushtohet edhe Kosovës dhe fqinjëve të saj.

Ne mbështesim procesin e anëtarësimit në BE të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Për këtë është e nevojshme përmbushja e të gjitha kritereve dhe reformave të nevojshme. Në këtë kontekst, ne forcojmë shoqërinë civile dhe hapat e mëtejshëm të para-anëtarësimit. Gjëja tjetër që duhet bërë është hapja e kapitujve të parë të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pastaj jetësimi i liberalizimit të vizave me Kosovën dhe vazhdimin e bisedimeve me Malin e Zi dhe Serbinë”, thuhet në këtë marrëveshje, raporton Klan Kosova.

Në dokument përmendet dhe dialogu Kosovë-Serbi që udhëhiqet nga Bashkimi Evropian.

Paraprakisht gjatë ditës, Olaf Scholz ishte pjesë e mbledhjes së qeverisë me kancelaren Angela Merkel ku ai ende është ministër i Financave.

Qeveria e re me kryeministër Scholz pritet të votohet më 6 dhjetor në Bundestag.

Me këtë veprim përfundon epoka 16 vjeçare e udhëheqjes së Gjermanisë nga Angela Merkel e cila për krejt këto vite u quajt “Gruaja më e pushtetshme e botës”.