Vendosni fjalën kyçe....

4200 firmat sekrete/ Goditja e parë kundër foltores


Sali Berisha| Foto: LSA

Ajo që duhet të ishte dita e triumfit të “foltores” së Berishës, momenti kur mbështetësit e tij duhet të dorzonin firmat për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, po rrezikon ti kthehet në një bomerag.

Në një konferencë për shtyp ish lideri historik i demokratëve njoftoi të mërkurën se ai kishte në dispozision 4200 nënshkrime për të mbledhur forumin më të lartë të PD-së në 11 dhetor. Ai madje pretendoi se ato do të bëheshin transparente për gazetarët e pranishëm në sallë.

Por, kaluan 24 orë dhe askush nuk ka pasur mundësinë që të verifikojë në mënyrë të pavarur “suksesin” e lëvizjes së doktorit. Që kur i mori në dorëzim, kreu i Këshillit Kombëtar, mbështetësi i Berishës, Edi Paloka, filloi të flasë për kultin e sekretit se si në një vend ku ligjin e bëjnë patronazhistët të dhënat personale duhen ruajtur.

Më pas edhe mbështetës të tij publikë arguemntuan për Lapsi.al se emrat e firmëtarëve nuk duhet të dalin, se ato do të bëhen publike vetëm në kongresin e 11 dhjetorit, pasi treshja në aleancë, Basha, Rama, ambasada amerikane mund të bëjnë presion mbi ata që kanë firmosur duke e i kthyer mendjen dhe duke e shndëruar në spektakël publik kundër foltores, këtë nismë kaq popullore.

Nisur nga kjo qasje, mbështetësit e Bashës në PD u hodhën menjëherë në kundërsulm. Sekretari i përgjithshëm Gazmend Bardhi u shfaq në dy dalje publike të mërkurën dhe të enjten, për të thënë se Berisha nuk ka arritur ti mbledhe firmat: “Ata s’kanë as 10 % të tyre- tha ai- duke i mbështetur akuzat në faktin e mbylljes në kasafortë të nënshkrimeve. “Nëse Berisha e ka korumin e duhur edhe unë jam pro mbledhjes së Kuvendit”, sfidoi Bardhi. 

Pra sot debati është hapur në një pikë: A i ka Berisha vërtet 4200 mbështetës? Nëse po, përse nuk i bën publikë emrat e tyre? A nuk duhet të ishin ato të afishuara për të gjithë për të treguar forcë dhe epërsi morale, pa pritur që kjo të bëhet në 11 dhjetor?

Deri në një farë pike mbështetësit e “Foltores” kanë të drjëtë kur argumentojnë privatisht për Lapsi.al se nën presionin e pushtetit dhe kupolës zyrtare të PD-së shumë prej firmëtarëve mund tu bëhet presion.

Por, argumenti që pamje të parë duket racional dhe pragmatist, në sytë e publikut të gjërë mund të ketë efekt të kundërt. Sepse, e para, Sali Berisha nuk mund të pohojë se atë e mbështesin njerëz që ndryshojnë nga fryn era dhe i dorëzohen shantazhuesit më të parë. E dyta, sepse kundërshtarët mund të thonë se deri sa këta qekan persona të shantazhueshëm edhe “foltorja” ua ka marrë firmat me metoda aspak demokratike. Dhe së treti, sepse anëtarët e Kuvendit Kombëtar, supozohen që të jenë ajka e një partie, aq të devotshëm dhe me aq pushtet, sa kanë në duart e tyre edhe vendimin për shkrirjen e vetë partisë.  

Por, ama, njerëz të tillë nuk mund të trajtohen si klandestinë që kanë frikë të nxjerrin fytyrën. Nëse ata nuk i dalin për zot publikisht firmave të tyre, ato nuk mund të vlejnë për asgjë.   

Pra, Sali Berisha është i dënuar ta braktisë kultin e fshehtësisë pas të cilit po mbron mbështetësit e tij. Në këtë betejë, ai nuk është thjeshtë sfidanti i Lulzim Bashës, por ai zotëron edhe aureolën e një ish presidenti dhe kryeministri që ka përgjegjësi, përpos strukturave të PD-së, mbi të gjitha para publikut. Betejën e tij paralele kundër Ramës, atij që ai mban peng, dhe lobistëve të Sorosit, ai nuk e fiton dot në sallat e humbura të provincave, por duke bindur publikun e gjerë.

Ka shumë njerëz, apo personazhe publike që e kanë  mbështetur “foltoren e Berishës” edhe pse nuk janë dakord për shumëçka me protagonistin e saj. Ata e kanë bërë këtë në bazë të një parimi të shenjtë, se edhe kur një gjë nuk të pëlqen, në një demokraci, është shumica ajo që vendos. Sali Berisha duhet të dijë ti ruajë edhe këta mbështetës që nuk e besojnë dot si militantë, por duhet të binden me prova që ai është përfaqësuesi i pjesës më të madhe të PD-së.

Nëse nuk arrin ta bëjë do të triumfojë pohimi i atyre që thonë se nuk i ka mbledhur dot nënshkrimet. Do të humbë betejën në publik dhe do ti drejtohet kuvendin të 11 dhjetorit, pa epërsinë morale ndaj Bashës që arriti të sigurojë deri më sot.

VINI RE: Materiali është pronë intelektuale e Lapsi.al