Vendosni fjalën kyçe....

Axhenda anti-familje si kërcënim për të gjithë


Nga Klodian Tomorri

Sulmi frontal që liberalët e majtë dhe përfaqësuesit e minoriteteve seksuale kanë ndërmarrë ndaj institucionit të familjes tradicionale shtron një pyetje thelbësore: A mundet pakica të diktojë normat, që rregullojnë bashkëjetesën e shoqërisë njerëzore?

Në këtë rast argumenti kryesor i përdorur është ai se e drejta duhet të prevalojë edhe kur ajo nuk mbështetet nga shumica. Përtej debatit nëse ndryshimet e kërkuara në Kodin e Familjes janë apo jo të drejta, kjo shtron një problem tjetër po kaq të madh. Kush është autoriteti hyjnor që përcakton se “Prindi 1-Prindi 2” është e drejta, ndërsa emërtimet “nënë-babë” janë e gabuara?

Supozojmë për një moment sikur pakica politike t’i imponohej shumicës me të njëjtin argument. Saktësisht mbi të njëjtën bazë Selami Jenishehri mund të pretendojë se kryeministri i Shqipërisë duhet të jetë Kujtim Gjuzi, pasi 1274 votat e koalicionit ABEOK përfaqësojnë një gjykim më të drejtë se sa 1 milionë votat e shumicës qeverisëse. Ups!

Në kursin e historisë botërore njihet vetëm një mënyrë se si pakica i imponohet shumicës kundër vullnetit. Ajo është dhuna. Të gjitha regjimet diktatoriale në histori nuk kanë qenë asgjë tjetër, përveçse imponimi i pakicës ndaj shumicës përmes dhunës. Kur pakica dikton rregullat, demokracia vdes.

Por le t’i kthemi sërish debatit për ndryshimin e normave që organizojnë bashkëjetësën e shoqërisë. A është asgjësimi ligjor i familjes tradicionale një e drejtë themelore e pakicës që nuk e gjen veten në këtë institucion?

Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut e klasifikon familjen si një njësi naturale dhe themelore për shoqërinë, e cila gëzon mbrojtje nga shoqëria dhe shteti. Kjo deklaratë e njeh familjen si bashkimin midis një burri dhe një gruaje nëpërmjet martesës. Pra, tentativa për të goditur familjen, jo vetëm që nuk është e drejtë themelore e atyre që nuk e gjejnë vetën në të, por praktikisht një sulm mbi të drejtat themelore të njeriut, shoqërinë njerëzore dhe mirëqënies së përgjithshme.

Në fund të shekullit 18, kur shkroi “Pasuria e Kombeve”, Adam Smith doli në përfundimin se mekanizmi magjik, që shtyn përpara progresin e njerëzimit është interesi individual. “Nuk është nga dashamirësia e bukëpjesësit apo kasapit, që ne kemi ushqim në tryezën tonë, por nga përmbushja e interesit të tyre vetjak”- u shndërrua në mantrën e doktrinës ekonomike.

Por dy shekuj më vonë, Milton Friedman, një tjetër mendje brilante e historisë njerëzore do ta korrigjonte këtë koncept. Përmes një serie leksionesh të regjistruara në vitin 1977-1978, Friedman provoi se incentiva që nxit progresin e shoqërisë njerëzore nuk është interesi vetjak, por institucioni i familjes.

Prindërit punojnë dhe krijojnë vlerë për shoqërinë sepse duan të sigurojnë mirëqënien e fëmijëve të tyre. Anëtarët e një familje krijojnë vlerë ekonomike, jo vetëm për interesin vetjak, por për të mbështetur të afërmit e tyre.

Koncepti i familjes si incentiva bazë e zhvillimit ekonomik tashmë është pranuar gjerësisht nga shkenca. Thuajse të gjitha studimet shkencore në këtë fushë kanë konkluduar në tre parime, të pranuara tashmë edhe në rezolutat e Këshillit të të Drejtave të Njeriut:

1- Familja është e mirë për fëmijët. Asnjë strukturë apo institucion tjetër nuk është i aftë të sigurojë të njëtat rezultate cilësore për rritjen e fëmijës se sa familja e përbërë nga një burrë dhe një grua në një lidhje të qëndrueshme.

2- Familja është e mirë për prindërit. Lidhja në martesë dhe formimi i një familje shoqërohet me shëndet më të mirë fizik dhe mendor, mirëqënie emocionale, më pak kriminalitet dhe jetëgjatësi më të madhe.

3- Familja është e mirë për shoqërinë. Familja është instrument thelbësor në luftën kundër varfërisë dhe krijimit të mundësive ekonomike.

Pra shkenca është e qartë. Çdo tentativë për të goditur familjen është një fakt sulm mbi themelet e bashkëjetesës shoqërore dhe mekanizmit të mrekullueshëm që bën të mundur progresin ekonomik dhe mirëqënien e njerëzimit.