Vendosni fjalën kyçe....

Helmimi i 600 banorëve, protesta në Krujë: Rrjeti i ujit u mor nga tubat e naftës në Ballsh, të dorëhiqet kryebashkiaku


Dhjetëra qytetarë janë ngritur këtë të shtunë në protestë përpara Bashkisë së Krujës, në lidhje me helmimin masiv të rreth 600 banorëve nga uji i pijshëm.

Qytetarët të irrituar nga ngjarja kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit të bashkisë, Artur Bushi si dhe të drejtorit të Ujësjellësit.

Deri tani dyshimet ishin se helmimi erdhi si pasojë e përzierjes së ujërave të zeza me ujërat e bardha, por banorët sot japin një tjetër pistë. Ata dyshojnë se shkak kanë qenë tubat e impiantit të ri, që sipas tyre “nuk janë blerë të reja, por janë marrë nga uzina e naftës në Ballsh”.

“I gjithë populli i Krujës e di se nga janë marrë ato tuba të ujësjellësit, pasi janë marrë nga tubat e naftës në Ballsh. Kërkojmë që të merrem masa. Uji i ri erdhi me ngjyrë. Ndaj e hoqën atë ujin e ri.” -tha një prej protestuesve.

Qytetarët e Krujës shprehen se uji i cili po vijon të furnizojë aktualisht banesat e tyre është ende i pa konsumueshëm.