Vendosni fjalën kyçe....

‘Muaji rozë’/ Manastirliu thirrje grave nga Selenica: Kryeni mamografinë në kohë


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka shkuar sot në Selenicë të Vlorës në kuadër të fushatës së ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit.

Zonja Manastirliu gjatë fjalës së saj, iu ka bërë thirrje të gjitha grave të kryejnë ekzaminimet në kohë për parandalimin dhe kapjen e hershme të kancerit të gjirit.

“Eshtë një muaj ndërgjegjësimi për të gjitha gratë që ende nuk e kanë kryer kontrollin periodik të gjirit apo mamografinë për t’u paraqitur pranë spitaleve rajonale apo në Tiranë në Spitalin Universitar ‘Nënë Tereza’, në poliklinikën qendrore për të kryer sa më shpejt mamografinë. Por nga ana tjetër nëpërmjet dy mamografive të lëvizshme ne jemi në të gjithë Shqipërinë, sipas një kalendari të përcaktuar, për të kryer mamografinë afër vendbanimit. Sot jemi në Selenicë bashkë me strukturat tona të kujdesit shëndetësor, për të ftuar të gjitha gratë sipas planit individual të përcaktuar nga mjeku i familjes, për kryerjen e kontrollit periodik të gjirit.”- Manastirliu.

Ministrja iu ka kërkuar mjekëve të familjes të bëjnë planifikime rigoroze për grupmoshat e përcaktuara për kryerjen e mamografisë, jo vetëm në muajin tetor.

Sikurse është bërë me dije nga Ministria e Shëndetësisë, njësitë e lëvizshme të mamografisë gjatë muajit Tetor do të jenë të shpërndara sipas kalendarit në këto zona: 4 –10 Tetor në Gramsh dhe Selenicë; 11-15 Tetor në Pogradec dhe Mallakastër; 18-22 Tetor në Prrenjas dhe Krujë;  25-29 Tetor në Librazhd dhe Has.