Vendosni fjalën kyçe....

Biden ashpërson masat për të nxitur vaksinimin e amerikanëve


Presidenti amerikan Biden njoftoi të enjten hapa dramatikisht më të fortë për të vaksinuar më shumë amerikanë kundër COVID-19.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Biden përshkroi gjashtë hapa të rinj për të përballuar rritjen e numrit të të prekurve nga lloji më ngjitës i Covid-19, Delta.

Departamenti Amerikan i Punës, tha ai, tani do të urdhërojë që çdo kompani me mbi 100 punonjës që t’i ketë të gjithë të vaksinuar ose të tregojë teste javore negative të Covid-19 të atyre që nuk janë vaksinuar.

Biden tha gjithashtu se të gjithë punëdhënësve me 100 ose më shumë punëtorë do t’u kërkohet t’u japin punonjësve të tyre kohë të lirë për t’u vaksinuar.

Biden tha gjithashtu se të gjithë punonjësit federalë dhe kontraktorët federalë tani duhet të vaksinohen dhe vuri në dukje se ai po përdor gjithashtu autoritetin e tij për të kërkuar vaksinime për 17 milionë punonjës të kujdesit shëndetësor në spitale dhe objekte të kujdesit shëndetësor.

“Çfarë ka më shumë për të pritur? Çfarë keni më shumë nevojë për të parë? Ne kemi qenë të duruar, por durimi ynë është duke u pakësuar dhe kundërshtim juaj na ka kushtuar të gjithëve.” – tha Biden.

Biden tha se Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) është duke punuar në vlerësimin e një vaksine për fëmijët nën moshën 12 vjeç. Po kështu ai njoftoi se Administrata e Sigurisë së Transportit (TSA) do të dyfishojë gjobat për udhëtarët që kundërshtojnë të mbajnë maska ​​në aeroplanë.