Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata bjelloruse burgos rivalin e Lukashenkos


Një gjykatë në Bjellorusi dënoi të martën me 14 vjet burg rivalin e presidentit Aleksander Lukashenko në zgjedhjet e fundit presidenciale.

Viktor Babariko u shpall fajtor për korrupsion, akuzë që sipas opozitës bjelloruse ishte e sajuar me qëllim asgjësimin e ambicieve të tij politike.

Babariko, 57 vjeç, ishte rivali kryesor i Lukashenkos në zgjedhjet e gushtit të kaluar, të cilat sipas opozitës u manipuluan pikërisht për të zgjatur pushtetin e presidentit pro-rus.

Në pushtet që prej vitit 1994, Lukashenko pretendoi një fitore dërrmuese dhe një mandat të ri presidencial, duke shkaktuar protestat më të mëdha në historinë moderne të ish-republikës sovjetike me 9.7 milionë banorë.

Liderja e opozitës bjelloruse në mërgim, Svetlana Tikhanovskaya e cilësoi vendimin e gjykatës si të “të çmendur”.

“Është një vendim i çmendur për një njeri që vendosi të hyjë në politikë dhe u bë një lider që zgjoi vendin nga një gjumë i gjatë”, komentoi ajo.

Tikhanovskaya theksoi se, regjimi po bën gjithçka për të vrarë çdo mendim të lirë që përfaqëson besimin dhe shpresën.

Vendimi u kritikua edhe nga ambasada amerikane në Minsk, e cila deklaroi se regjimi i Lukashenkos nuk ndalet para asgjëje për të ruajtur pushtetin.