Vendosni fjalën kyçe....

Bylykbashi: Në zgjedhjet e 25 prillit ka pasur shkelje të mëdha, provat i kemi çuar në KQZ


Kandidati për deputet i PD-së në Qarkun e Durrësit, Oerd Bylykbashi, tha mbrëmjen e sotme se selia blu ka nisur procesin e faktimit të manipulimit të votës në zgjedhjet e 25 prillit.

Demokrati tha se KQZ-ja do vendosë mbi denoncimet e bëra nga PD-ja duke shtuar se në rastet kur ka pasur ndërhyrje në disa qendra votimi, numërimi i votave në ato qendra është i pakuptimtë.

Ai i bëri deklaratat në Syri TV në edicionin ‘Ora 19’.

“Ajo që kërkohet është se kur ka shkelje të rëndë të ligjit që ka ndikuar në ndarjen e mandateve, shpallet e pavlefshme qendra e votimit. Është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që do të bëjë vlerësimin nëse shkelja ka ndikuar në 1, në 2 apo më shumë qendra votimi, apo totali i qendrave të votimit është ndikuar. Kush është logjika e thjeshtë? Nëse në 1 apo 2 qendra votimi rezulton se është thyer kutia, apo nuk u hap fare, sigurisht që nuk ka kuptim të llogaritet rezultat në atë qendër votimi. Kështu që shpallet e pavlefshme. Por, qëllon që diferenca midis subjekteve për një mandat është më e madhe se numri i zgjedhëse të asaj qendre votimi dhe ajo apo ato qendra votimi nuk përfshihen në rezultat, atëherë rezultati mbetet i pandryshuar.” – tha Bylykbashi.

Sipas tij, shkeljet e ligjit në zgjedhjet e 25 prillit kanë qenë të mëdha dhe për këtë arsye PD-ja pretendon pavlefshmërinë e rezultatit në 9 qarqe të vendit. Bylykbashi shtoi se provat për këtë janë paraqitur dhe tani i takon KQZ-së të marrë vendimin.

“Shkeljet e ligjit kanë qenë masive në qarqet që pretendojmë pavlefshmërinë e rezultatit të zgjedhjeve. Kemi çuar provat. Ja për shembull, kodi zgjedhor e ndalon që katër muajt e fundit të ketë punësime në administratë. Na rezultojnë mbi 10 mijë persona. Thesari ka paguar mbi 63 milionë euro plus. Janë shpenzuar 40 milionë euro muajt e fundit për tërmetin. Në Durrës janë paguar 6 milionë euro vetëm javën e fundit. Kemi paraqitur faktet, që ja kemi çuar KQZ-së, ku është deformuar vullneti i zgjedhësve.” – shtoi Bylykbashi. 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *