Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti Meta: 25 prilli referendum kundër fuks-shtetit, hapën vende pune për të ‘rehatuar’ patronazhistët


Presidenti i vendit Ilir Meta e konsideron 25 prillin si një referendum kundër “fuks-shtetit”.

Në një postim në rrjetet sociale, Meta shkruan se punësimi i 10 mijë vetëve më shumë se një vit më parë në administratën publike, është bërë qëllimisht për të ndërhyrë në procesin zgjedhor.

Ai ndan një shkrim të “Monitor” për fenomenin e shit-blerjes së votave, dhe thotë se këto vende pune paguhen me taksat e qytetarëve për të mbajtur patronazhistët, ndërkohë që rëndohet edhe më shumë gjendja ekonomike.

“25 PRILLI, REFERENDUM KUNDËR FUKS-SHTETIT!

Punësimi nga Partia-Shtet i 10 mijë vetëve më shumë se një vit më parë në administratën publike, qëllimisht në prag të zgjedhjeve, është ndërhyrje flagrante në procesin zgjedhor.

Këto vende pune, të cilat nuk kanë asnjë ndikim në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të Shqipërisë, paguhen me taksat e qytetarëve duke e rënduar edhe më shumë gjendjen e tyre ekonomike.

Ndërsa shteti i kapur, hap 10 mijë vende pune në administratën publike, pa asnjë vlerë, për të “rehatuar” kryesisht patronazhistët, dhjetëra mijëra vende pune humbin në sektorët prodhues dhe mijëra biznese mbyllen dhe falimentojnë.

Mirë që na survejojnë, por edhe t’i mbajmë me rroga për këtë!

Prandaj 25 Prilli, është referendum popullor kundër FUKS-SHTETIT, i vënë tërësisht në shërbim të survejimit dhe patronazhistëve.

Me votën e tij plebishitare Sovrani më 25 Prill, rivendos rendin kushtetues dhe shtetin e së drejtës.”– shkruan Meta.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *