Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Nëse s’i realizojmë premtimet në mandatin e parë, s’e kërkojmë më votën e shqiptarëve


Kreu i PD-së ka thënë sot se programi i qeverisë së tij do e nxjerrë vendin nga balta ku e ka lënë qeverisja e kryeministrit Rama.

Në një intervistë për ‘Panorama’, Basha theksoi se taksa e sheshtë e propozuar nga PD-ja është e provuar si e suksesshme ndërsa shtoi se në rast moszbatimi të premtimeve, nuk do kërkojë një mandat të dytë.

“Nuk kemi premtime boshe si ato të Ramës, i cili këto 8 vite ka dështuar në çdo drejtim. Plane serioze pune, nëse nuk i zbatojmë, ne nuk do të kërkojmë mandat tjetër. Prej vitit 2013, 97% e shqiptareve paguajnë më shumë taksa dhe kanë më pak mundësi punësimi, me kujdes shëndetësor më të keq dhe kosto jetese shumë më të shtrenjtë. Është e qartë se taksat e shtuara nga Rama nuk iu janë kthyer njerëzve as në punësim, as në shërbime, as në arsim dhe as në kujdes shëndetësor. Prandaj, unë kam bindjen se është më mirë dhe më produktive që paratë të qëndrojnë në xhepat e qytetarëve dhe të biznesit. Për këtë ne do t’i ulim taksat dhe do të vendosim taksën e sheshtë 9%. Ky nuk është eksperiment, pasi ne kemi një histori pozitive me aplikimin e taksës së sheshtë, ku ne mblodhëm më shumë para, u formalizua më shumë ekonomia, u qarkulluan më shumë para ndër qytetarët e bizneset dhe u mundësuan punë gjigante infrastrukturore dhe moderne, të cilat dukeshin të paarritshme më parë.” – tha Basha.

I pyetur mbi sektorët që do jenë prioritet i qeverisë së PD-së, Basha tha se forca politike të drejton ka plane serioze në të gjitha fushat: ekonomi, shëndetësi, arsim, infrastrukturë, rininë dhe çështjet sociale.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *