Vendosni fjalën kyçe....

Gjiknuri i nis email kolegëve të opozitës: Të mblidhemi të hënën në Këshillin Politik


Socialistët kërkojnë që të hënën të mblidhet Këshilli Politik. Përfaqësuesi i PS-së, Damian Gjiknuri ka thërritur palët të ulen sërish në tryezën e këshillit për të biseduar mbi çështjet e lëna pezull për reformën zgjedhore.

Ai ka kërkuar që mbledhja të bëhet ditën e hënë të datës 14 shtator, në orën 18:00.

Gjiknuri kërkon që të diskutojnë për hapjen e listave dhe implementimin në Kodin Zgjedhor të ndryshimeve kushtetuese, të miratuara në seancën plenare të datës 30 korrik.

Letra e Damian Gjiknurit:

“Siç jeni në dijeni, në seancën e datës 30 Korrik 2020, Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektligjin për ndryshime në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, nismë e 28 deputetëve të opozitës parlamentare.
Këto ndryshime në Kushtetutë sanksionuan hapjen e listave të kandidatëve duke u dhënë të drejtën qytetarëve për të votuar përveç subjektit politik edhe për kandidatin e tyre të preferuar. Pas hyrjes së tyre në fuqi, Konferenca e Kryetarëve të Grupeve Parlamentare në Kuvend ka përcaktuar nevojën për reflektimin në Kodin Zgjedhor të këtyre ndryshimeve Kushtetuese. Ditën e Hënë, 14 Shtator, është përcaktuar mbledhja e Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore ku do të miratohet krijimi i një grupi pune për reflektimin e ndryshimeve Kushtetuese në Kodin Zgjedhor.
Në frymën e dialogut të konsoliduar mes palëve në tryezën e Këshillit Politik, me synim arritjen e një konsensusi sa më të gjërë në këtë proces, propozoj thërritjen e tryezës së Këshillit Politik ditën e Hënë, datë 14 Shtator, ora 18:00. Tryeza propozoj të mbahet si gjithnjë në ambientet e sallës ovale të Pallatit te Kongreseve.
Faleminderit,

Damian Gjiknuri

Përfaqësues i Partisë Socialiste”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *