Vendosni fjalën kyçe....

Si u përhap dje “Fake-News”-i se Tirana është kryeqyteti më i pastër në Ballkan


Ditën e djeshme disa media pranë qeverisë nxituan të publikonin një lajm “copy-paste” se Tirana ishte kryeqyteti me ajrin më të pastër në Ballkan.

Mirëpo nuk dhanë disa detaje me rëndësi, duke përhapur me ose pa qëllim një informacion të gabuar. Ky informacion ishte një interpretim që mediat i kanë bërë një grafiku, që ishte përfshirë në një studim të Bankës Botërore, ku flitej se si COVID-19 mund të intensifikojë sfidat e ndotjes së ajrit në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë raport diskutohen lidhjet e mundshme midis ndotjes së ajrit dhe COVID-19 që mund të shfaqen për Ballkanin Perëndimor. Aty argumentohet edhe mënyra se si efektet e pritshme ekonomike të pandemisë mund të përkeqësojnë degradimin tashmë të rëndë të mjedisit nga ndotja e ajrit dhe ndikimin e COVID-19 në nivelin e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë që shoqërohet me të.

E mbi të gjitha, nuk është se flitet për cilësinë e ajrit në Tiranë në veçanti e në asnjë moment studimi nuk ka si synim të bëjë një renditje për ndotjen e ajrit në vendet e rajonit.

Madje për Tiranën nuk flitet fare, i vetmi moment ku përmendet Tirana, është se paraqitet në një grafik për matjen e cilësisë së ajrit. E matja që studimi i referohet është kryer në vitin 2013 nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Duke qenë se në grafikun e para shumë viteve, Tirana paraqitet në vlera më pak të larta, nga këtu është shkëputur lajmi se është sot qyteti më i pastër.

Shkrimi nuk konsideron asnjë nga vendet e Ballkanit si me ajër të pastër. Në shkrim thuhet se megjithëse standardet zyrtare të cilësisë së ajrit në Bosnjë dhe Hercegovinë (B&H), Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut janë mjaft të harmonizuara me standardet e cilësisë së ajrit të Bashkimit Europian, njerëzit në rajon zakonisht thithin më shumë ajër të ndotur nga grimcat toksike sesa fqinjët e tyre në Evropën Perëndimore. Përqendrimet e PM2.5 i tejkalojnë rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH) me një diferencë aq të gjerë sa i bën ato të krahasueshme me përqendrimet e vëzhguara në qytete shumë të mëdha si Pekini, Mumbai dhe Nju Delhi.

Sjellin ndërmend se në vitin 2019, Tirana është renditur nga portali “Numbeo” si një ndër qytetet më të ndotura në botë, duke u renditur në vendin e 38-të nga 294 shtete. Tirana ishte ngritur me 16 vende në listë në krahasim me vitin 2018, çka tregon për një përkeqësim të ndjeshëm. I vetmi vend që ia kalonte Tiranës në Europën Jugore ishte Tetova, që paraqiste nivele më të larta të ndotjes./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *