Vendosni fjalën kyçe....

Meta për anti-KÇK-në: Zhurmë për të larguar vëmendjen nga përpjekja për grusht shteti


Gjatë konferencës së sotme të Jashtëzakonshme, presidenti i vendit Ilir Meta ka deklaruar disa herë se ka patur një përpjekje për grusht shteti, duke iu referuar çështjes së emërimit të anëtarëve të gjykatës Kushtetuese.

Ai u pyet nga gazetarët edhe për paketën Anti-KÇK, për të cilën presidenti e konsideron se është vetëm për të krijuar zhurmë dhe të larguar vëmendjen.

“Është vetëm zhurmë për të spostuar vëmendjen për të finalizuar kapjen e shtetit dhe për të instaluar grushtin e shtetit. Pra me ca letra t’i bën grusht shteti, nuk ka nevojë për tanke.

Të gjitha janë në një dorë. Vetë Ali, vetë Kadi. Ka vetëm Ali, nuk ka as ligj as asgjë tjetër.

Presidenti ka për detyrë që grushtit të shtetit, t’i përgjigjet me dekrete dhe në të ardhmen do të keni dekrete. Së dyti ka për detyrë t’i drejtohet qytetarëve tanë. Kemi shumë ndarje me njëri-tjetrin, e vetmja gjë që na bashkon është vetëm Kushtetuta. Presidenti do të bëjë çdo gjë në mbrojtje të Kushtetutës dhe të demokracisë.

Do të përpiqen t’ua largojnë vëmendjen me lloj lloj shashkash, por kjo është çështja më e rëndësishme sot, që kërcënohet në mënyrë të qartë nga mafiozë, jo nga Partia Socialiste por nga një grup mafiozësh që punon kundër interesave kombëtare, kundër interesave publike dhe që është armik i qartë i Kushtetutës dhe rendit.”– tha Meta.

Presidenti shtoi se ndryshe nga radha e kaluar, ai do të paraqitet vetë në Komisionin e Venecias.

“Të gjitha pyetjet tuaja meritojnë vëmendje por ndoshta në një rast tjetër. Unë dola këtu për t’u rikthyer në vëmendje rrezikun e madh për një grusht shteti dhe nuk dua ta çfokusoj vëmendjen time nga kjo çështje madhore. Këtu ka aq shumë probleme sa është ku thërret qameti por presidenti do përqendrohet në çështje madhore si kjo.  Respekti im për Komisionin e Venecias është i palëkundshëm. Vërtet nuk shkova radhën e kaluar dhe u mjaftova duke dërguar vetëm këshilltarët, por tani jam i detyruar vetë të shkoj në Venecia, që e gjithë Europa demokratike të kuptojë se çfarë po ndodh në këtë vend në emër gjoja të Venecias, në emër të partnerëve.”- tha Meta.

Presidenti paralajmëroi se do dërgonte atje fakte më të rënda për kreun e KED-së, Ardian Dvorani.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *