Vendosni fjalën kyçe....

OSBE-ja reagon për raportin e përkeqësimit të korrupsionit: Institucionet të jenë më transparentë të vijojë reforma në drejtësi


Prezenca e OSBE-së në Tiranë ka reaguar pas publikimit të indeksit të Transparency International ku rezultatet e perceptimit për korrupsionin në Shqipëri janë përkeqësuar.

OSBE-ja ka shprehur shqetësim, duke i bërë thirrje institucioneve që të vijojnë me zbatimin e reformës në drejtësi.

Gjithashtu OSBE-ja i kërkon institucioneve të bëjnë kujdes me shpenzimet dhe transparencë me shpenzimet publike.

Postimi i plotë:

Vërejmë me keqardhje vijimin e përkeqësimit të perceptimit publik ndaj korrupsionit në vend, siç dëshmon Indeksi më i fundit i Transparency International, rezultatet e të cilit u botuan sot. Shqipëria shënoi një pikë më pak në krahasim me vlerësimin e vitit 2018, duke humbur shtatë vende në klasifikimin global. Prirja e përgjithshme negative në rajonin e Evropës Juglindore, përfshirë Shqipërinë, sa i përket luftës kundër korrupsionit mbetet shqetësuese.
Në dritën e gjetjeve të Transparency International, Prezenca e OSBE-së u bën thirrje institucioneve publike dhe organeve ligjzbatuese të vijojnë zbatimin e reformës në drejtësi dhe atyre kundër korrupsionit, të sigurojnë integritet dhe transparencë më të madhe institucionale në shpenzimet publike, si dhe të zgjerojnë hapësirën për pjesëmarrjen e shoqërisë civile në monitorim të pavarur.
Meqenëse analiza mbarëbotërore e Indeksit për Perceptimin e Korrupsionit këtë vit thekson nevojën për adresimin e korrupsionit në zgjedhje, përsëritim thirrjen tonë për reformë zgjedhore të plotë dhe gjithëpërfshirëse për zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, përfshirë ato lidhur me financimin e partive dhe të fushatave zgjedhore.