Vendosni fjalën kyçe....

“Të gjithë janë të frikësuar” – Porto Riko shpall gjendjen emergjente pas tërmetit me magnitudë 6.4


Guvernatorja e Porto Rikos, Wanda Vazquez ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme pas një serie tërmetesh që kanë goditur vendin ditët e fundit duke i marrë jetën një personi.

Siç shkruan Reuters, tërmetet rrëzuan ndërtesat dhe shkatërruan rrjetin e energjisë elektrike gati në të gjithë ishullin, ku jetojnë më shumë se 3 milion njerëz.

Më i madhi nga tërmetet në territorin e SHBA-së, është regjistruar dje me magnitudë 6.4. Ky është tërmeti më i fuqishëm që ka goditur ishullin në 102 vjet.

Me mbylljen e dy termocentraleve të mëdha, uji i pijshëm u ndërpre për rreth 300,000 klientë. Vazquez tha se energjia duhet të rikthehet në pjesën më të madhe të ishullit brenda 24 deri në 48 orë.

Shkollat ​​e Porto Rikos do të qëndrojnë të mbyllura dhe punonjësit publikë, përveç punonjësve shëndetësorë dhe policisë, do të qëndrojnë në shtëpi të mërkurën ndërkohë që do të bëhen kontrolle mbi sigurinë e ndërtesave.

“Ka njerëz që kanë humbur jetën, ka njerëz që kanë humbur të gjithë pronën e tyre”– u tha Vazquez gazetarëve.

Autoriteti i energjisë elektrike të Porto Rikos tha që shpresonte të rivendoste shërbimin gjatë natës në zonën metropolitane të kryeqytetit San Juan.

Zyrtarët thanë se të paktën 346 njerëz kanë mbetur pa shtëpi, ata jetojnë kryesisht në jug të ishullit.

“Të gjithë janë të frikësuar, kjo është hera e parë që ka ndodhur diçka e tillë”– tha Patricia Alonso, një banore e cila me djalin e saj 13-vjeçar po shkonte në banesën e nënës së saj.

Shpallja e gjendjes emergjente në Porto Riko do të lehtësojë ndihmën financiare federale. Porto Riko është prekur nga qindra tërmete që nga 28 dhjetori, 10 prej të cilëve kanë patur magnitudë mbi 4.

Tërmetet e fuqishme janë të rralla në Porto Riko.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *