Vendosni fjalën kyçe....

Gjata: Kandidatura e Metanin për kreun e ILD-së e paligjshme, ka mbajtur funksion politik


Sekretari për çështjet ligjore në PD, Çlirim Gjata në një deklaratë nga selia blu denoncoi se kandidatura e Avokatit të Shtetit Artur Metani për kreun e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë është në kundërshtim me ligjin.

Gjata argumentoi se kandidatura është pa ligjshme pasi Kushtetuta ndalon që një figurë të kandidojë kur në 10 vitet e fundit të ketë pasur një funksion politik.

Deklarata e plotë:

Me anë të kësaj deklarate Partia Demokratike bën publik skandalin e radhës të iniciuar nga Kryeministri Rama, i cili nuk ndalet së kapuri çdo institucion të pavarur të drejtësisë.

Rasti më i fundit është ai i Këshilli i Emërimeve në Drejtësi(KED), i cili në mbledhjen për seleksionimin e kandidaturave për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë vendosi të kualifikojë si kandidaturë kryesore atë të Artur Metanit pavarësisht se ai nuk plotëson kriteret kushtetuese ligjore për këtë pozicion të rëndësishëm.
Kjo vendimmarrje e KED-së është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të Drejtësisë”. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 147/d, pika 3, parashikon se “…Kandidati për Inspektor të Lartë të Drejtësisë nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit”.

Po ashtu, ligji për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, në nenin 199/pika 1/dh, parashikon se:“Inspektor i Lartë i Drejtësisë mund të zgjidhet shtetasi shqiptar, që në momentin e kandidimit përmbush këto kushte:

Artur Metani është në kushtet e ndalimit kushtetues dhe ligjor. Ai ka mbajtur funksionin e Këshilltarit Juridik të Presidentit të Republikës, në periudhën Maj 2002-Korrik 2012.

Në bazë të Ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve” (Ligji i Vetingut), nenin 3 pika17, pozicioni i Këshilltarit të Presidentit konsiderohet “funksion politik” në administratën publike. Për më thjeshtë po citojmë ligjin:( nenin 3 pika17)

– “Shprehja “nuk ka ushtruar funksione politike në administratën publike” do të thotë që nuk ka qenë deputet, Kryeministër, Zëvendëskryeministër, ministër, zëvendësministër ose nëpunës pjesë e kabinetit të Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, Zëvendëskryeministrit, ose ministrit që kryen detyrën e drejtorit të kabinetit, këshilltarit, ndihmësit, zëdhënësit ose sekretarit personal të titullarit të kabinetit”.

Pra, në bazë të këtij përcaktimi, Artur Metani rezulton se 10 vitet e fundit ka qënë “funksionar politik”, si pjesë e Kabinetit të Presidentit të Republikës.