Vendosni fjalën kyçe....

Meta pushton mediat ndërkombëtare, u sjell fat tifozëve keltë


Presidenti i vendit Ilir Meta ka pushtuar mediat ndërkombëtare, në veçanti ato skoceze pas një videoje që publikoi në rrjetet sociale me tifozët keltë.

Videoja e publikuar më 9 korrik, ka marrë 49700 shikime, 1400 pëlqime dhe 235 shpërndarje.

“Kur festa të rrëmben! Momente të jashtëzakonshme sot në Sarajevë me tifozët e @CelticFC, para ndeshjes së turit të parë kualifikues të @ChampionsLeague. Nuk mungoi një shëndet për RudiVata, yllin e Kombëtares sonë dhe të @CelticFC“, shkruan Meta krahas videos ku shihet duke kënduar me tifozët skocezë.

Takimi me Metën duket të ketë qenë fatndjellës për keltët, pasi mbrëmë në Sarajevë ata fituan me rezultatin 3-1.

Ndjekësit e presidentit shqiptar në “Twitter” janë shtuar pas videos dhe mbi të gjitha pas fitores së merituar, saqë Meta sot ka bërë disa postime të tjera dedikuar keltëve dhe mikut të tij Rudi Vata.

“Mirëmëngjes! Kjo foto sot i dedikohet të gjithë tifozëve të jashtëzakonshëm të @CelticFC anë e mbanë botës. Kjo bluzë është dhuratë nga miku im Rudi Vata. Pas takimit në Sarajevë besoj në: “Once you’re a Celt you’re always a Celt … Hail Hail”, shkruan Meta, i cili ka publikuar gjithashtu edhe një video të një goli të shënuar nga Rudi Vata.

Uebsajti zyrtar Celtsarehere.com i tifozëve të Celtic e ka cilësuar si ditë surprizuese dhe të shkëlqyer momentin kur presidenti shqiptar po u fliste tifozëve për ish-futbollistin e Celtic dhe shokun e tij shqiptar Rudi Vata.