Vendosni fjalën kyçe....

Protesta e 21 marsit – Gjykata lë në burg 3 protestues, lirohen 3 të tjerët


Gjykata e Tiranës ka dhënë sot masën e sigurisë për protestuesit e opozitës, mes tyre banorë të zonës së Unazës së Re. Gjykata ka lënë në burg tre prej protestuesve të arrestuar më 21 mars, Dorian Protoduari, Mariglen Doçi dhe Emiljan Mustafa.

Ata akuzohen për konsumimin e elementëve të veprave penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Ndërsa tre protestuesit e tjerë, Bledar Dollia, Jorges Gjikola dhe Arbër Kola janë lënë të lirë.

Vendimi i gjykatës është kundërshtuar nga ish-deputetët e opozitës, Edmond Spaho, Klevis Balliu dhe Endrit Braimllari.

“Për tre të ndaluar u vendos “arrest me burg” pa fakte dhe prova. Shqipëria është ndoshta i vetmi vend në Europë që burgos kur proteston për të drejtat e tua. Qëllimi i prokurorisë dhe gjykatës është të dalë në mbrojtje të mazhorancës me synim se do të trembë protestuesit në protestat e ardhshme që do të organizohen kundër kësaj qeverie dhe Edi Ramës. Por janë të pashpresë në këto përpjekje që bëjnë sepse kur qytetarët përplasen me qeverinë fituesit janë qytetarët. Kështu do të ndodhë edhe me këtë mazhorancë dhe Edi Ramën, i cili shpejt do ta lërë karrigen e pushtetit.”, tha Spaho para kamerave.

Nga ana tjetër, Klevis Balliu tregoi se të paktën për një nga të dënuarit, mund të dëshmonte ai se ka qenë me një kameraman dhe jo te pjesa ku ka patur përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Për Dorian Protoduarin ju them me bindje të plotë që as nuk ka qenë gjatë protestës, ka qenë me një nga kameramanët. Nuk ka qenë fare te pjesa ku pati shtyrje me policinë. Akt i turpshëm politik që i kthen këto gjykata në ambjente të PS, nuk mund të quhen gjykata. Edi Rama i shpalli sot “luftë” Unazës së Re me këtë vendim të turpshëm ndaj Dorian Protoduarit dhe ne ashtu do të përgjigjemi. Do të të ndjekim se je në kafe, se je në restorant, se je në takime dhe protestojmë ndaj teje. Po deshe na fut në burg të gjithëve se edhe po na fute në burg, protesta do të vazhdojë dhe nga burgu. Nuk do të na ndalësh dot.” është shprehur Balliu.

Endrit Braimllari e quajti këtë një “gjyq politik” ndërsa shton se pavarësisht kësaj në protestat e radhës sheshi do të mbushet plot.

“Tanimë fati i shqiptarëve varet nga vetë shqiptarët dhe Edi Rama nuk mund të mbajë peng shqiptarët. Edi Rama sot bën një gjyq politik për të trembur banorët e Unazës së Re, për të trembur protestuesit por të jeni të bindur që ditën e enjte por edhe në protestat e tjera shumë më shumë protestues do të jenë në shesh sepse janë të bindur për rrugën e tyre. Tani për Shqipërinë nuk ka më kthim pas. Duhet të largohet Edi Rama dhe kjo qeveri mafioze dhe të çlirohen shqiptarët.”, tha Braimllari./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *