Vendosni fjalën kyçe....

Policia si jep leje PD-së për protestën e 5 marsit – Përplasja


Policia e Shtetit nuk i jep leje Partisë Demokratike të zhvillojë protestën e paralajmëruar të 5 marsit para godinës së Parlamentit.

Në letërkëmbimet mes Partisë Demokratike dhe Policisë së Tiranës për çështjen e protestës, të publikuara nga “Balkanweb”, policia thotë se tubimi pengon hyrjen në Kuvend të deputetëve, vë në rrezik jetën e deputetëve dhe cënon sigurinë kombëtare.

 “Zhvillimi i tubimit të kërkuar nga subjekti Partia Demokratike e Shqipërisë, në vendin rruga ‘George Ë. Bush’, Shëtitorja ‘Murat Toptani’ (Pedonale), Lulishtja përpara sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, Sheshi ‘Fan S. Noli’ cenon sigurinë e Institucionit të Rëndësisë së veçantë, Kuvendi i Shqipërisë, pengon hyrjet dhe daljet e anëtarëve të qeverisë, deputetëve, administratës si dhe rrezikon jetën e tyre, pengon veprimtarinë e ligjshme të Kuvendit, pasi më datë 5.3.2019 ora 10:00 do të zhvillohet seancë plenare, sa më sipër; Vendosa: Në zbatim të germës ‘a’ të nenit 6 të Ligjit Nr. 8773, datë 23.04.2001 ‘për tubimet’, të ndaloj zhvillimin e tubimit të kërkuar nga ana Juaj në datën 05.03.2019, ora 9:00, në vendin e përcaktuar në kërkesë.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, kërkon mirëkuptimin tuaj, për zhvillimin e një tubimi të qetë e normal në një vend tjetër të përshtatshëm pa cenuar rendin dhe duke zbatuar kërkesat e Ligjit nr.8773, datë 23.04.2001, datë 23.04.2001 ‘Për tubimet’.
Ju rikujtojmë se për veprime në kundërshtim me ligjin, organizatori, drejtues i tubimit dhe pjesëmarrësi në tubim, do të mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale bazuar në Ligjin nr.8773, datë 23.04.2001 ‘Për tubimet’”, thuhet në dokumentin e policisë, të firmosur nga Drejtori i Policisë së Tiranës Kastriot Skënderaj.

Pas kësaj përgjigjeje, Partia Demokratike e akuzon policinë se po shkel Kushtetutën dhe se në asnjë prej protestave të zhvilluara nuk janë dëmtuar policë.

Për më tepër, në letrën e firmosur nga sekretari i përgjithshëm në PD, Gazment Bardhi, thuhet se protesta do të zhvillohet edhe pa leje.

“Në përputhje me nenin 47 të Kushtetutës dhe nenin 5 të ligjit Nr.8773, datë 23.04.2001 “Për tubimet”, ju njoftojmë se tubimi do të zhvillohet sipas njoftimit të bërë me shkresën tonë nr.31 Prot., datë 01.03.2019. Çdo pengim i lirisë së ushtrimit të tubimit sipas këtij njoftimi, në datën 5 mars 2019 dhe pasojave që mund të shkaktojë ky fakt gjatë ditës së tubimit është nën përgjegjësinë tuaj personale dhe institucionale. ju bëjmë, gjithashtu me dije se jeni në shkelje flagrante të ligjit dhe se tashmë duhet të kishit përmbushur përgjegjësinë tuaj për të na njoftuar urdhrin zyrtar për caktimin e oficerit të policisë që do të jetë përgjegjës për të ndihmuar zhvillimin e tubimit.
Për të gjitha sa më lart, njoftimi ynë, sipas detyrimit që parashikon neni 5 i ligjit nr.8773/2001, konsiderohet nga ky moment i përmbushur dhe tubimi do të realizohet më datë 5 mars 2019, në sheshin dhe vendkalimin publik: Rruga ‘George Ë.Bush’, Shëtitorja Murat Toptani’ (Pedonalja), lulishtja përpara sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, Sheshi ‘Fan S.Noli’ dhe bulevardi ‘Zhan D’Ark’. Caktimi i vendit të tubimit, është e drejtë kushtetuese e organizatorit dhe drejtuesit të tubimit. Kjo është arsyeja përse ligji parashikon njoftimin dhe jo kërkesën për leje në rastin e zhvillimit të një tubimi”, thuhet në letrën e PD-së.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *