Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi: Eurodeputetët i bënë qokën e fundit Ramës, në maj zgjedhje të parakohshme


Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi gjatë takimit që ka zhvilluar me të rinjtë e LRI-së në njësinë nr 2 në Tiranë i ka quajtur qokat e fundit, deklaratat e disa eurodeputetëve në drejtim të zhvillimeve politike në Shqipëri.

Kryemadhi theksoi se më shumë se sa deklarata të ndërkombëtarëve të caktuar, kanë rëndësi marrëveshjet shtet me shtet dhe institucione me institucione. Ajo deklaroi se sot nuk ka asnjë qeveri të Bashkimit Europian që të përkrah reformat e dështuara të qeverisë së Edi Ramës. 

“Ka ndërkombëtarë që nuk i kuptojnë, mos u shqetësoni për ata që nuk i kuptojnë, por di tu them që ka ndërkombëtarë, ka institucione, sepse ne kurrë nuk do të bëjmë marrëveshje me individë. Marrëveshjet bëhen shtet me shtet, marrëveshjet bëhen institucione me institucione dhe ja ku po ua them që nuk ka asnjë qeveri e Bashkimit Europian e cila përkrah qeverinë e Edi Ramës. Nuk ka asnjë institucion, qoftë ky Parlament Europian apo Komision Europian që të dali haptas sot dhe të përkrahë reformat e dështuara të Edi Ramës. Prandaj mos u intimidoni, mos u surprizoni nga deklarata, të cilat vijnë për të harxhuar qokën dhe për të marrë qokën e fundit në Shqipëri.” – theksoi Kryemadhi.

Më tej ajo u shpreh e bindur se në maj do të ketë zgjedhje të përgjithshme të parakohshme, ndërkohë që theksoi se do të jenë vetë socialistët, por edhe gjithë shqiptarët që do ti thonë jo krimit të organizuar që ka marrë peng vendin.

“94% e shqiptarëve besojnë që jeta e tyre është më e shtrenjtë se ç’ka qenë, çka do të thotë se dhe socialistët edhe ata që nuk votojnë kurrë, mendojnë si ne. Prandaj detyra juaj është që t’i zgjojmë, t’i sensibilizojmë, t’u flasim për LSI. Që jemi një forcë politike dhe parti politike e të rinjve dhe të rejave. Njerëzit e kanë perceptimin shumë të mirë për LSI-në. Njerëzit e kanë perceptimin shumë të mirë për ta ndryshuar këtë realitet. Tashmë duhet të bëhemi gati që njerëzit ti çojmë në kutitë e votimit ditën e zgjedhjeve që do të jenë në fund të majit, sepse jam e bindur që zgjedhjet e përgjithshme parlamentare do të jenë të parakohshme.  Çdo ditë e më shumë që zvarritet pushteti i kalbëzuar i Edi Ramës aq më shumë kalbëzohet dhe aq më i pafuqishëm bëhet. Prandaj terreni është i juaji, hapësirat janë tuajat, mos ndaloni.” – mbylli Kryemadhi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *