Vendosni fjalën kyçe....

Turqia i ofron Greqisë 5.6 milionë euro për 8 ushtarakët që akuzohen për grushtin e shtetit


Ministria e Brendshme turke përditësoi ditën e sotme listë e ish-oficerëve ushtarakë të kërkuar për rolin e tyre të dyshuar në grushtin e shteti ndaj presidentit Erdogan në korrik të vitit 2016, grusht shteti që u shtyp nga qeveria.

Turqia kërkon nga Greqia kthimin për tu gjykuar të tetë ushtarakëve, të cilët u arratisën në Greqi një ditë pas grushtit të shtetit, shkruan “Ekathimerini”.

Sipas agjencisë shtetërore Anadolou të Turqisë, qeveria po ofron një total prej 5.6 milion eurosh për kthimin e tetë oficerëve, të cilëve u është dhënë azil në Greqi.

Tetë ushtarakët janë mes dhjetëra personave në kërkim në Turqi, për pjesëmarrjen e dyshuar në një komplot për të rrëzuar qeverinë, një komplot për të cilin akuzohet kleriku Fethullah Gulen dhe organizata e drejtuar prej tij, FETO.

Lajmi vjen teksa kryeministri grek Alexis Tsipras udhëton sot drejt Turqisë në një vizitë zyrtare ku do takohet me presidentin Erdogan dhe zyrtarë të tjerë turq.