Vendosni fjalën kyçe....

250-vjetori i Pavarësisë së SHBA-së, mesazhe urimi nga Rama, Begaj dhe Peleshi


Shtetet e Bashkuara të Amerikës shënojnë sot (4 korrik), Ditën e Pavarësisë.

Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri i vendit, Edi Rama e cilësoi 4 Korrikun si një festë të veçantë edhe për shqiptarët.

“Mirëmëngjes dhe me 4 Korrikun e Amerikës, nën hijen madhështore të Statujës së Lirisë, që është edhe një festë e veçantë për shqiptarët, pavarësisht erërave kundër që historikisht kanë dashur ta zbehin energjinë e bukur të këtij vendi, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan Rama.

Edhe kryetari i Kuvendit Niko Peleshi uroi Amerikën, duke e cilësuar si një aleat të çmuar.

“Gëzuar 250-vjetorin e pavarësisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Një moment historik për një komb mik dhe aleat të çmuar. Mirënjohje për miqësinë e fortë, partneritetin e besueshëm dhe mbështetjen e palëkundur që ka shoqëruar Shqipërinë ndër vite. Një aleancë e ndërtuar mbi besimin, respektin dhe vlerat e përbashkëta mbetet garanci për një të ardhme edhe më të forte”, shkruan Niko Peleshi.

Ambasada amerikane në Tiranë ka përcjellë gjithashtu urimet në një postim në rrjetet sociale.

“Gëzuar 250-vjetorin, Amerikë! Po festojmë 250 vjet histori, liri dhe të ardhmen e ndritur përpara”, shkruhet në faqen zyrtare në Facebook.

Presidenti Bajram Begaj, në mesazhin e tij, i përcolli urimet më të përzemërta Presidentit Donald Trump dhe popullit amerikan.

“Në 250-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i përcjell urimet më të përzemërta Presidentit Donald Trump dhe popullit amerikan.

Shqipëria vlerëson thellësisht miqësinë e qëndrueshme dhe partneritetin strategjik me SHBA-në, të ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë, paqes dhe prosperitetit.

Shqipëria i është mirënjohëse SHBA-ve për mbështetjen e vazhdueshme që nga njohja si shtet deri në reformat kryesore në 35 vitet e fundit. Gëzuar 4 Korrikun USA!”