Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Protestat po dëmtojnë turizmin, kanë frymë fashiste dhe po shkaktojnë anulime rezervimesh



Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se protestat e zhvilluara në Tiranë kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec dhe ndaj qeverisë po sjellin pasoja negative për sezonin turistik në vend.

Në podkastin e tij “Flasim”, Rama u shpreh se operatorë turistikë kanë raportuar anulime të rezervimeve nga turistë të huaj gjatë dy javëve të fundit, duke e lidhur këtë situatë me klimën e krijuar nga protestat.

Sipas kryeministrit, një pjesë e protestuesve synon shqetësime të ligjshme për zhvillimet në vend, por një tjetër pjesë, sipas tij, përfaqëson një qasje që dëmton qëllimisht stabilitetin dhe ekonominë.

Ai kritikoi ashpër sjelljen në rrjetet sociale dhe gjatë protestave, duke e cilësuar si bullizim dhe presion ndaj mendimeve ndryshe, ndërsa foli edhe për një “frymë fashiste” që, sipas tij, shfaqet kur nuk pranohet mendimi i kundërt dhe ushtrohet presion ndaj qytetarëve apo artistëve dhe operatorëve ekonomikë.

Rama theksoi se turizmi është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë dhe paralajmëroi se vijimi i kësaj situate mund të ndikojë drejtpërdrejt sezonin turistik, duke shkaktuar humbje për bizneset dhe ekonominë familjare.

Ai shtoi se protesta dhe pakënaqësia janë pjesë e demokracisë, por sipas tij, nuk duhet të kalojnë në forma që dëmtojnë interesin publik dhe aktivitetin ekonomik të vendit.